E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel politike dhe futboll

Ndërkohë që kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri holandez, Mark Rute janë takuar kokë më kokë për të diskutuar problemet ekonomike të eurozonës në Berlin, ka pasur kohë për të folur edhe për futbollin. Në konferencën për shtyp të organizuar pas takimit, fillimisht u fol për çështjet madhore.

“Hapat e ndërmarra nga Portugalia, Spanja dhe Italia janë mbresëlënëse. Përsa i takon Spanjës, ata duhet të bëjnë një kërkesë specifike, për mbështetjen me problemet e bankave. E kemi të qartë se çfarë do të thotë kriza në SHBA dhe pasojat e saj në Europë dhe nevojitet një rikapitalizim në mënyrë që të zgjidhen problemet”.

Pas çështjeve ekonomike, vëmendja u përqendrua te futbolli, me kryeministrin holandez, Rute që përgëzoi Gjermaninë për kualifikimin në çerekfinale.

“Gjëja e parë që bëra ishte përgëzimi për skuadrën gjermane, që u kualifikua në Euro 2012. Të dielën e gjithë Holanda i kishte sytë nga Gjermania, por fatkeqësisht fitorja e tyre nuk na shërbeu për të vazhduar më tej. I urojmë suksese skuadrës së Joakim Lëv”.

Nga ana tjetër, kancelarja Merkel do të jetë në stadiumin e Gdanskut në Poloni, për të ndjekur sfidën çerekfinale me Greqinë. Kjo është ndeshja e parë që ajo do të shohë në Euro 2012, pas bojkotit të liderëve europianë ndaj Ukrainës. E ngacmuar nëse homologu i saj grek, Antonis Samaras do ti bashkohej në tribunë, Merkel u përgjigj me diplomaci.

“Personalisht do të isha e lumtur nëse ai do të vinte në Gdansk. Megjtihatë, nëse ai do t’ia dalë të vijë apo jo, kjo nuk më takon mua ta them. Ndeshja Gjermani-Greqi do të jetë një event i shkëlqyer sportiv dhe shpresoj që të mos ndikohet edhe nga episode të diskutueshme”.

Nga ana e tyre, vetë protagonistët si janë trajnerët dhe lojtarët gjermanë dhe grekë, kanë hedhur poshtë çdo krahasim të sfidës në Kampionatin Europian me problemet politike, por mbi të gjitha financiare në kontinent.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›