E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riberi e Masri jane gati per cerekfinalen pas demtimit

Ndoshta, Loren Blank është një njeri me fat. Trajneri i Francës ka mësuar nga mjekët e skuadrës së tij se dy prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, Frank Riberi dhe Samir Nasri, do të jenë gati për çerekfinalen ndaj Spanjës të shtunën, në Euro 2012.
“Gjelat” po stërviten në bazën e tyre në Kirça, në jugperëndim të Donjeckut, ndërsa dy mesfushorët sulmues munguan në seancën e së mërkurës, një ditë pas ndeshjes së humbur 0-2 ndaj Ukrainës në grupin D.
Ndihmësi i Blankut, Bogosian, theksoi për mediat se lojtarët po përparojnë mirë dhe se nuk do të kenë asnjë problem lidhur me ndeshjen e radhës. “Pas një ndeshjeje ka gjithnjë lodhje dhe ne nuk donim t’i rrezikonim lojtarët tanë, gjithkush do t’i përgjigjet apelit në kohën e duhur”, - u shpreh Bogosian.
Nasri ka pasur shqetësime në gju, ndërsa Riberi kishte një çarje në këmbën e tij të majtë.
Ndërkaq, nga Franca vijnë njoftime për çarje në gjirin e skuadrës blu. “L’Ekip” shkruan se trajneri Blank pati një përballje aspak miqësore me sulmuesin Hatem Ben Arfa, ndërsa u shkruajt edhe se Alu Diarra shkëmbeu fjalë të ashpra me Samir Nasrinë.
Ndihmësi i Blankut, pra Bogosian, nuk e përgënjeshtron lajmin e mediave, por thotë se debatet kanë qenë diçka që ndodh në çdo skuadër. Franca ende e mban mend mirë atë që ndodhi në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut ku lojtarët bënë grevë dhe ku Nikolas Anelka u kthye në shtëpi, pas sherrit me trajnerin e asaj kohe, Rajmond Domenek.
“Nuk ka vend për krahasim, - thotë Bogosian, - janë thënë fjalë, por krej normalisht. Ne jemi në çerekfinale dhe do ta marrim veten nga humbja”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›