E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel pret Topin dhe Berishën buzë lumit Ren

Dita e dytë e Samitit të NATO-s ka nisur me pritjen që i ka bërë kancelarja gjermane Angela Merkel, kryetarëve të shteteve dhe qeverive në një pasarelë simbolike, që lidh dy shtetet mbi lumin Ren. Delegacioni shqiptar është paraqitur fillimisht me presidentin Bamir Topi, e menjëherë pas tij ka mbërritur kryeministri Berisha, i cili ndryshe nga shumë udhëheqës të tjerë e ka përqafuar, madje edhe e ka puthur kancelaren gjermane. Pas kësaj ceremonia të gjithë liderët e vendeve anëtare të NATO-s së bashkë kaluan pasarelën dhe në mes të saj u pritën nga Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, i cili iu uroi mirëseardhjen në Strasburg, ku dhe është zhvilluar dita e dytë e këtij samiti jubilar, që mbahet me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ndërsa gjatë kohës së pauzës, para fillimit të punimeve të Samitit të Strasburgut, ndërsa presidenti Topi dhe kryeministri Berisha gjendeshin me krerët e vendeve anëtare të NATO-s për një takim paraprak mbi diskutimin e kreut të ri të këtij organizmi, pjesa tjetër e delegacionit shqiptar ka përfituar për të zhvilluar një takim me Sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillari Klinton. Ka qenë kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, të cilët kanë zhvilluar një takim të përbashkët në mjediset ku është organizuar ky samit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›