E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel takim me Tadiçin: “Nuk do të ketë ndarje të Kosovës”



Ndarja e Kosovës është kundërshtuar me forcë nga Kancelarja gjermane Angjela Merkel. Në një takim që zhvilloi në Berlin me presidentin serb Boris Tadiç, Merkel përjashton propozimin për mundësinë e ndarjes etnike të Kosovës. Edhe vetë presidenti Tadiç, ndryshe nga sa kishte deklaruar pak ditë më parë se ndarjen si një kompromis, në Berlin tha se deklarata e tij ishte keqkuptuar. Ai tha se gjithçka kishte thënë ai ishte “intepretuar politikisht gabim”. Tadiç shtoi se Beogradi nuk do të njohë kurrë pavarësinë, por po bënte një përpjekje që të kalonte cështjen e Kosovës “nga ana politike në atë ligjore”, duke kërkuar legjitimitetin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vizita e Presidentit Tadiç në Berlin shikohet si një përpjekje për të krijuar lidhje sa më të ngushta me Bashkimin Europian. Ai zhvilloi gjithashtu një takim me ministrin e Jashtëm gjerman Frank Valter Shtajnmajer. Duke folur për iniciativen serbe në Gjykatën Ndërkombëtare, Tadiç ka theksuar se miratimi i nismës do të garantojë stabilitet politik dhe do ta nxjerrë çështjen e statusit në një terren ligjor. Tadiç riktheksoi se Beogradi asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë, por mund të flitet për emërtimin territor autonom i Serbisë.

UNMIK-u dhe GNK: Ndarja sjell dhunë dhe jostabilitet
Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës, kanë ripërsëritur se ndarja e Kosovës nuk mund të jetë opsion. Komentet pasojnë deklarimet e presidentit serb sipas të cilit ndarja mund të jetë zgjidhje nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje tjetër. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko rikujtoi se një prej parimeve të Grupit të Kontaktit përjashton çdo mundësi të ndarjes së Kosovës. “Qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë i qartë. Ky qëndrim nuk ka qenë vetëm i yni por edhe i Grupit të Kontaktit. Nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk kemi çka diskutojmë për këtë çështje“,- tha Ivanko. Ndërkohë, Drejtoresha për Europën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave Sabine Freizer, e ka konsideruar fatkeqe idenë e Presidentit serb Boris tadiç për ndarjen e Kosovës. Serbia sipas saj duhet të ndihmojë që Kosova të mbetet shtet shumëetnik dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë. “Nuk është pozitive të flitet për ndarjen, e cila, siç dihet, sjell dhunë dhe jostabilitet. Ajo për të cilën duhet të flasim është mbrojtja e të drejtave të serbëve përmes procesit kushtetues, i cili tashmë ka zënë vend në Kosovë”,- është shprehur Freizer. Ajo vlerësoi se Bosnja, Maqedonia, Kosova dhe Serbia duhet të jenë shumëtnike dhe nuk duhet të ketë përpjekje për ndarjen e vendeve në bazë të vijave etnike. Është tepër e rëndësishme që Kosova të mbetet shtet shumëtnik, ndërsa Plani i Ahtisarit ofron një mundësi të shkëlqyer për t’u siguruar se të gjitha pakicat në Kosovë do të respektohen, nënvizoi Freizer, duke porositur Qeverinë e Serbisë që ta mbështesë implementimin e planit të Ahtisarit.

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›