Mero Baze: Taçi më kërcënoi shkrimet e mia ndaj
Dje në seancë dëshmuan edhe gazetarët Andi Bushati e Arban Hasani, të cilët pohuan se Taçi goditi Bazen
TIRANË- Vijoi dje në Gjykatën e Tiranës procesi gjyqësor në ngarkim të biznesmenit Rezart Taçi i akuzuar nga Prokuroria për goditjen dhe rrahjen për shkak të detyrës të gazetarit Mero Baze.
Dje dëshmoi gazetari Mero Baze, si dhe dy kolegët e tij Andi Bushati e Arban Hasani, të thirrur nga organi i akuzës. Hasani dhe Bushati rrëfyen përpara gjykatës në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa gazetari Mero Baze, dëshmoi në cilësinë e personit të dëmtuar në ngjarjen e muajit nëntor.
Sipas dëshmisë së tyre fillimisht në lokal ka qenë gazetari Arban Hasani, ndërsa më pas aty kanë shkuar edhe Mero Baze dhe gazteari Andi Bushati. Baze pohoi se kishte njohur Taçin në vitin 2005, kur e kishte ndihmuar në një rast. "Jam njohur që në 2005 me Taçin dhe e kam ndihmuar për një histori që ai e di".
Më tej gazetarët e tjerë Bushati dhe Hasani, pohuan se ngjarja ndodhi kur Taçi po dilte nga lokali, pasi ata vetë ishin ulur afër derës. "Sapo është afruar në tavolinën tonë ai na shau dhe na fyeu, dhe po na kërcënonte se do të më zhdukte për ato që kisha shkruar".
Më pas, sipas dëshmive, biznesmeni i karburanteve, goditi Meron dhe pas Taçit dy shoqëruesit e goditën sërish.
Baze rrëfeu se pas j këtyre goditjeve mbeti pa ndjenja në dysheme. Më pas gazetari i goditur është dërguar në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Baze tha se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga kallëzimi, ndërsa asnjëherë nuk e ka ofenduar Rezart Taçin. Ndërkaq, javën e ardhshme pritetqë biznesmeni i karburanteve, Taçi, të dëshmojë në Gjykatën e Tiranës në procesin ku ai është i akuzuar për goditjen për shkak të detyrës të gazetarit Mero Baze.
Në këtë proces, veç tij, akuzohen edhe Bledar Lilo e Irgen Selfo, punonjës të kompanisë "Taçi Oil". Ata akuzohen se me 4 nëntor të vitit të kaluar, goditën në një lokal në zonën e ish- bllokut, gazetarin Mero Baze, gjatë kohës që ai ndodhej me dy miqtë e tij gazetarë Arban Hasani dhe Andi Bushati.