E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama e çiftit shqiptar,u rrëmbejnë foshnjën e sapolindur në maternitetin e Athinës



GREQI/ATHINë

Rrëmbehet në Athinë fëmija e një çifti emigrantësh shqiptarë, ngjarja alarmon policinë, e cila më pas gjeti foshnjën duke e kthyer te prindërit e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur një grua greke, e zhgënjyer nga disa shtatzëni të dështuara e ka parë të udhës të vidhte një fëmijë në maternitet dhe më pas t’ia tregonte bashkëshortit si të vetin. Rreth orës 05:00 të mëngjesit e ëma e fëmijës Bruna Shuti 28 vjeçe, ndodhej në gjumë teksa kishte parë diçka si hije të dilte me shpejtësi nga dhoma. Menjëherë gruaja shqiptare ka vënë re se mungonte fëmija që kishte sjellë në jetë një ditë më parë. Verifikimi i nënës ishte bërë shumë shpejt, pasi në maternitetin “Elena Venizelu”, fëmijët flenë bashkë me nënat e tyre. Me të shpejtë gruaja shqiptare ka pyetur infermieren nëse e kishte marrë ajo fëmijën për ta ushqyer, por ka marrë përgjigje negative nga punonjësja e maternitetit. Pikërisht këtu ka nisur tragjedia e rëndë. Të alarmuar, mjekë, infermierë dhe nëna e fëmijës kanë nisur të kërkojnë foshnjën! Me urdhër të stafit mjekësor është mbyllur porta e maternitetit në mënyrë që të mos dilte askush prej andej, si dhe është njoftuar edhe policia. Kjo për faktin se një ngjarje e tillë, siç është rrëmbimi i fëmijës në maternitet ndodhte për herë të parë në Greqi. Pak më vonë, një shtetase greke nga zona Egaleo telefonon në një spital në lagjen Aleksandra të kryeqytetit helen, Athinë dhe kërkon një ambulancë. Telefonuesja 45 vjeçare, nënë e dy fëmijëve 10 dhe 4 vjeç, pohon se lindi vetëm në shtëpinë e saj dhe se fëmijën do e dorëzonte në maternitet pasi nuk e donte. Krerët e spitalit dyshuan, pasi ndërkohë ishte përhapur lajmi për rrëmbimin e bebes së çiftit shqiptar. Bashkë me ambulancën, autoritetet e spitalit dërguan edhe policinë në adresën që dha telefonuesja. Pas kësaj policia vuri në pranga shtetasen greke dhe ktheu fëmijën në maternitetin “Elena” për t’ia dorëzuar nënës së tij. Dy prindërit e fëmijës, Agron dhe Bruna Shuti, të cilët ndodheshin në tension prej disa orësh e kanë pritur me gëzim të madh lajmin e gjetjes së fëmijës së tyre. Pas kësaj Agroni ka pohuar për mediat greke: “Falënderoj në veçanti policinë greke dhe popullin grek që më mbështetën në këtë moment të vështirë të jetës time, gjithashtu falënderoj ambasadën shqiptare në Athinë, e cila na ndihmoi shumë”. Kurse xhaxhai i foshnjës, Albert Shuti, i cili jeton prej disa vitesh në shtetin grek, pohoi se dëshmitarët okularë kishin informuar se ishte parë një grua me pallto të zezë të dalë nga spitali. Ndërkohë edhe opinioni publik grek nuk e ka kapërdirë ngjarjen shokuese. Të tronditur, qytetarët helenë kanë shprehur indinjatë nisur nga fakti që një nënë ka hyrë në maternitet dhe ka rrëmbyer një foshnjë në orën 05:00 të mëngjesit. Dhoma ku qëndronte emigrantja shqiptare Bruna Shuti me foshnjën e saj një ditëshe, kishte tre krevate. Lehona shqiptare ndodhej në krevatin e tretë, pranë dritares, kështu që grabitëses i ishte dashur të kalonte përmes dhomës, pranë dy krevateve të tjerë duke bërë që nga zhurma të zgjonte nënën e foshnjës. Ky fakt e ndihmoi mjaft policinë në identifikimin e grabitëses së foshnjës. Rrëmbimin e fëmijës në mjediset e maternitetit e denoncuan edhe stafi mjekësor dhe administrata e spitalit. Ata denoncuan faktin se spitali nuk ka siguri edhe pse nga njëra anë e tij është Ambasada Amerikane e Athinës. Sekretari i Përgjithshëm Nikos Poluzos, sqaroi dje se spitali ruhet 24 orë, por punonjësit e sigurisë nuk janë të mjaftueshëm, pasi në secilin kat të këtij institucioni qëndrojnë vetëm nga dy infermiere. f.m.

Plani i rrëmbimit ishte përgatitur prej tre muajsh
Policia: 45-vjeçarja abortoi,foshnjën e rrëmbeu në krevat

ATHINE – Policia greke ka mohuar dje faktin se 45 vjeçarja që rrëmbeu fëmijën e çifti të emigrantëve shqiptarë nuk ishte e çmendur, siç u pretendua në fillim. Prej tre muajsh gruaja me profesion ekonomiste, po përgatitej të rrëmbente një fëmijë. Sipas policisë zonja në fjalë ishte shtatzënë, mirëpo në muajin e gjashtë abortoi fëmijën. Ajo e ka fshehur faktin e humbjes së shtatzënisë duke mos i treguar bashkëshortit, me të cilin ka një vajzë 4 vjeç, ndërsa nga martesa e saj e parë ka një djalë 10 vjeç, i cili jeton me babanë e tij. Duke pasur ankth se bashkëshorti mund ta braktiste nëse merrte vesh se gruaja e tij kishte abortuar, 45-vjeçarja prej tre muajsh kishte përgatitur planin për grabitjen e një fëmije, të cilin më pas do ia prezantonte bashkëshortit si të tyrin. Mëngjesin e djeshëm, pasi kishte veshur një bluzë me mëngë të gjera, ekonomistja 45 vjeçare, rreth orës 04:30 të mëngjesit, hyri në maternitetin “Elena Venizelu” dhe u drejtua për te dhoma ku ishte fëmija. Hyri brenda në qetësi të plotë, mori fëmijën dhe e fshehu poshtë bluzës së gjerë. Pas kësaj doli jashtë, mori taksi dhe u drejtua për në rrugën “Dhoridhos 3” në lagjen Argjiro Spiridhona në zonën Egaleo të Athinës. Mbrëmjen e së mërkurës 45-vjeçarja ishte paraqitur në spitalin “Elena Venizelu” dhe ishte regjistruar si e shtruar aty për të mos dyshuar njeri. Pas ngjarjes së mëngjesit të djeshëm, doktori që e kishte vizituar dyshoi dhe dha të dhënat e saj në polici duke lehtësuar në maksimum punën e uniformave blu. Mjeku dyshoi nga fakti se si një femër i thoshte që ishte shtatzënë ndërsa ai e pa nga EKO se nuk ishte e vërtetë diçka e tillë. Po kështu një fqinj i saj, pas deklarimit të lajmit në media informoi menjëherë policinë se kishte parë 45-vjeçaren të hynte në shtëpi ndërsa mbante në dorë foshnjën e rrëmbyer në maternitet. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›