Policia kërkon gruan e zhdukur në Bruksel
TIRANE - Policia federale e Mbretërisë së Belgjikës, i ka kërkuar ndihmë për të dytën herë policisë shqiptare për të gjetur një 32-vjeçare shqiptare, e cila rezulton e zhdukur që prej datës 15 janar të vitit 2008. Ajo është me kombësi shqiptare, por është shtetase e Belgjikës dhe që prej datës së dhënë nga policia belge, vajza nuk është parë më nga asnjë prej të afërmve dhe të njohurve të saj, gjithashtu askush nuk ka asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen. Quhet Albana Margjeka, është 32 vjeç dhe është larguar në datën 15 janar, dy vite më parë, rreth orës 14:00 nga banesa e saj në Ham-Sur-Heure/Nalinnes, rruga “Bois Rombut”, të Belgjikës. Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mësohet se Albana Margjeka ka gjatësinë 165 centimetra, është me trup të dobët dhe flokët i ka të zinj të prerë shkurt. Në momentin e zhdukjes, ajo ishte veshur dukshëm me veshje sportive të zezë. Ajo është parë të lëvizë me mjetin e saj tip “Volsvagen Golf” ngjyrë blu-jeshil me targë XQM 558. Pas kësaj date nuk ka më asnjë gjurmë të saj. Vajza nuk është gjetur ende nga policia belge, në asnjë vend të Belgjikës, për këtë arsye pritet që kërkimet të nisin në Shqipëri. Policia kërkon që kushdo që mund ta ketë parë të telefonojë në polici, në numrin pa pagesë 129.