E Diel, 1 Nëntor 2026

Parkimi në Tiranë, shoferi qëllon me levë policin



TIRANE – Një efektiv i policisë, punonjës i shërbimit në turnin e dytë, në Komisariatin nr.6 të Tiranës, është goditur 6 herë me levë në kokë, nga një 23-vjeçar. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të mërkurës, përpara portës së komisariatit në lagjen Kombinat të kryeqytetit. Fuat Xhima, i cili është arrestuar pak minuta më pas, i është drejtuar punonjësit të policisë, Aludin Hasanaj, që t’i hapte portën sepse donte që ta parkonte makinën tip “Benz”, me targë TR 7573 H, brenda rrethimit të rajonit të policisë. Hasanaj ka dalë nga vendi ku po kryente shërbimin dhe iu ka drejtuar të riut, fillimisht duke e pyetur se ku punonte, me idenë se edhe ai mund të ishte punonjës policie dhe vinte nga Drejtoria e Policisë Tiranë. Xhima nuk i ka dhënë asnjë lloj shpjegimi, por ka kërkuar me ngulm që ta lejonte të futej me makinë në vendin që kërkonte. Kur ka dëgjuar debatin mes policit të shërbimit dhe personit të panjohur që ishte në makinë, një polic roje është afruar duke i thënë që të kthehej mbrapsht, sepse nuk lejohej parkimi. Policia tha se Fuat Xhima ka dalë nga makina, ka marrë në bagazh një levë dhe i është drejtuar efektivit Hasanaj, duke e kërcënuar me jetë. Menjëherë pasi plagosi policin, autori i ngjarjes u arrestua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›