E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund odiseja Glover, KQZ rrëzon kërkesën e Berishës

KQZ miratoi drejtimin e misionit të OSBE/ODIHR nga ambasadorja britanike
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kundërshton hapur qeverinë shqiptare për çështjen Glover. Pavarësisht kontestimeve nga ana e qeverisë kundrejt ambasadores Glover në krye të monitoruesve ndërkombëtare, KQZ miratoi akreditimin e vëzhguesve të OSBE ODIHR në Shqipëri. Nëpërmjet këtij miratimi, KQZ i ka dhënë fund në këtë mënyrë polemikave të shumta mes ndërkombëtarëve dhe qeverisë shqiptare për drejtimin e misionit të ODIHR-it, nga ambasadorja britanike Audry Glover, e cila u vu në qendër të vëmendjes për shkak të refuzimit të qeverisë shqiptare për emërimin e saj. Tashmë ky debat cilësohet një diskutim i mbyllur dhe shefja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve problematike të vitit 96, Glover, do të kryesojë edhe gjykimin e votimeve të 28 qershorit. Me këtë vendim, shefja e ODHIR merr të gjitha të drejtat të monitorojë procesin zgjedhor në vend, e më pas së bashku me kolegët e saj, të përpilojë dhe raportin mbi standardet e këtyre zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje listën prej 39 vëzhguesish ndërkombëtar të ODIHR-it, pas kërkesës së tyre për akreditim për ndjekjen e procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Pas konsultimit të bërë mes anëtarëve të këtij Komisioni, KQZ vërejti se dokumentacioni i paraqitur, ishte brenda kushteve dhe kërkesave të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Për këto arsye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar në nenin 21 pika 1 dhe neni 6, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, v e n d o s i: Të miratojë 39 vëzhgues afatgjatë të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, sipas listës të përcaktuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, thuhet në njoftimin e KQZ. Akti i djeshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zgjidh nga pikëpamja institucionale ngërçin e krijuar, por mbetet ende e hapur marrëdhënia e fortë e mosbesimit nga ana e shumicës së djathtë ndaj shefes së misionit të vëzhguesve. Pak ditë më parë përfaqësuesit e trojkës evropiane në Tiranë tentuan zgjidhjen e këtij problemi gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat të qartë. Autoritetet shqiptare sillnin në kujtesë vitin 1996 kur zonja Glover kishte drejtuar ODIHR-in dhe kur raporti vlerësues për zgjedhjet problematike të atij viti, nuk u pa si realist për shkak se ambasadorja britanike nuk kishte pranuar të përfshinte në raport frazën se opozita e majtë kishte bojkotuar zgjedhjet. Misioni i OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve, ODIHR deklaroi këtë javë se qeveria shqiptare kishte kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryetare të misionit vëzhgues ndërkombëtarë. ODIHR-i tha se kundërshtimi i emërimit të zonjës Glover nuk ishte një hap i duhur dhe qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it. Zëdhënësi i ODHIR-it, Jens Eschenbaecher e pranoi se vendimi i qeverisë kishte të bënte me fakti që diplomatja Glover ka qenë kryetare e ODIHR-it gjatë zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri. Por sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike në pushtet tha se shumica kishte respektin maksimal për ODIHR-in. Ferdinand Xhaferri deklaroi se shumica kërkonte numrin maksimal të vëzhguesve të ODHIR-it për zgjedhjet e ardhshme. Vetë shefja e ODHIR, ka vijuar takimet me partitë politike, që marrin pjesë në zgjedhje, pa dhënë asnjë deklaratë, lidhur me konfliktin mes saj dhe kryeministrit Berisha. Tashmë kryeministri Berisha dhe znj. Glover do të jenë përballë njëri-tjetrit për herë të dytë. Vetë kryeministri duhet të garantoje atë që ka premtuar: zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të pritur gjykimin e vëzhguesve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e marsit 96, kur zoti Berisha president dhe zonja Glover shefe e misionit vëzhgues, procesi mori një shuplake të fortë për shkelje të standardeve deri në pikën, që rezultati ishte i papranueshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›