E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr peng pasagjerët se iu gërvisht makina

Një incident i vogël gjatë rrugës me furgonin me të cilin ata udhëtonin, ka mbajtur në panik disa pasagjerë. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së dielës, kur Ardian Prenga, 31 vjeç nga fshati Zheje i Kurbinit, ka detyruar drejtuesin e furgonit me targa LE 7728 A, Ndoc Ndoi, për të devijuar nga rruga dhe ta ndjekë atë në një rrugë qorre. Ndërkohë, autori ka kërcënuar me një pistoletë të gjithë pasagjerët që ndodheshin në furgon. Gjithçka pasi autovetura e tij tip “Benz” me targa LA 8141 A është gërvishtur gjatë një fërkimi me furgonin ku ndodheshin pasagjerët. Situata ka qenë e nderë deri në momentin kur dikush nga pasagjerët ka mundur të lajmërojë policinë e Lezhës. Kjo e fundit, pas një pune të shpejtë operacionale ka bllokuar pa asnjë incident në hyrje të qytetit të Laçit të dyja automjetet duke shoqëruar më pas në komisariat të gjithë personat e pranishëm. Sakaq, pas marrjes në pyetje të tyre, policia ka marrë masën e arrestit ndaj Ardian Prengës, me akuzën e “Heqjes së padrejtë të lirisë”.

Detyron furgonin e pasagjerëve të ndryshojë destinacion vetëm sepse makina e tij u gërvisht pas një fërkimi me mjetin ku udhëtonin ata. Ngjarja është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësja e drejtorisë së Policisë së Lezhës, Liona Nika, sipas së cilës, arrestimi i 31-vjeçarit Prenga u bë për arsye se pas një konflikti banal që ka pasur me drejtuesin e furgonit, Ndoc Ndoin, ka devijuar rrugën e furgonin me pasagjer, madje dhe ka kërcënuar me armë këta të fundit.

Sipas të dhënave të policisë së Lezhës për këtë ngjarje, mësohet se Ardian Prenga duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me targa LA 8141 A, në superstradën Lezhë – Laç, pikërisht në vendin e quajtur Kryqëzimi i Rrilës, në afërsi të rrugës dytësore të fshatit Manati, është fërkuar me automjetin furgon, tip “Benz”, me targa LE 7728 A, me drejtues 44-vjeçarin Ndoc Ndoi nga fshati Ishull i Lezhës.

Sipas hetimeve, furgoni ka pasur si drejtim lëvizjeje rrugën Lezhë – Manati. Ndërkohë, drejtuesi i autoveturës duke pretenduar në pafajësi, ka devijuar drejtimin e furgonit dhe ka kërcënuar pasagjerët se do t’i mbajë aty deri kur drejtuesi i furgonit të rregullojë automjetin e tij të dëmtuar, “Benz” autoveturë 250 me targa LA 8141 A. Por, në hyrje të qytetit të Laçit furgoni së bashku me të dy drejtuesit dhe pasagjerët është bllokuar nga policia ku dhe u bë i mundur shoqërimi i tyre për në Drejtorinë e Policisë në Lezhë.

Sipas deklaratave të marra nga pasagjerët, ka rezultuar se drejtuesi i autoveturës i ka frikësuar nën kërcënimin e armës, megjithëse arma nuk është gjetur akoma.

Ndërkaq, materialet në ngarkim të shtetasit Ardian Prenga do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale të “Heqjes së padrejtë të lirisë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›