Mbrojtja; Vasilika Mazniku, Jam e penduar që vrava Bozhanën
U qëndron ende deklarimeve të para, ndërkohë që shpreh pendesë për krimin e kryer. Për këtë arsye u kërkon togave të zeza mëshirë para shpalljes së vendimit përfundimtar. Për asnjë moment gjatë seancës, e pandehura Vasilika Mazniku nuk e ka ngritur kokën, as për të parë mbrojtësin e saj dhe as familjarët e pranishëm në sallë, mes të cilëve edhe bashkëshortin Sotirin, të cilin e ka akuzuar për shkelje të kurorës martesore. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, avokati i saj u ka kërkuar togave të zeza ndryshimin e kualifikimit të akuzës, pasi Vasilika e ka vrarë njerkën e burrit në kushtet e tronditjes së thellë psikike, pasi e gjeti në shtrat me burrin e saj. Sipas mbrojtjes, për një fakt të tillë kanë pasur dijeni edhe vajzat e viktimës, të cilat e kanë mbështetur dhe u ka ardhur keq për gjendjen e shkaktuar në familje. 62-vjeçarja akuzohet se më datën 31 gusht të vitit të kaluar ka mbytur me përparëse në dhomën e gjumit njerkën e burrit të saj, Bozhanën, të cilën e akuzonte për lidhje jashtëmartesore me bashkëshortin e saj. Mazniku, pas një grindjeje banale me vjehrrën e saj, e ka vrarë duke e mbytur me një përparëse. Prokuroria ngriti akuzën “vrasje me dashje” dhe për këtë ka kërkuar dënimin me 16 vjet burg, në zbatim të gjykimit të shkurtuar. Tashmë pritet që gjyqtari Femi Petku të shpallë vendimin përfundimtar më 7 korrik të këtij viti.