E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, gjykata jep 23 vjet burg dhe një pafajësi

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë dhe dënoi me 23 vjet burg tre të pandehur, ndërkohë që deklaroi të pafajshëm njërin nga katër të pandehurit e çështjes. Të pandehurit akuzohen për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve” e mbetur në tentativë, për të cilën janë dënuar në total 23 vjet heqje lirie. I pafajshëm u deklarua shtetasi Fatmir Maliqi, për të cilin prokuroria kërkoi dënimin me 10 vjet burg dhe togat e zeza urdhëruan lirimin e menjëhershëm nga qelitë e paraburgimit, ndërsa për tre të pandehurit e tjerë, respektivisht Ismail Kllokoqi u kërkua dënimi me 8 vjet burg, shpalljen e pafajshëm të Paolo Gjokës për veprën penale të “vjedhjes me dhunë” dhe dënimin e tij me 8 vjet burg për veprën penale “prodhim e shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, deklarimin fajtor dhe dënimin e tij me 7 vite burg për veprat penale të “vjedhjes me dhunë” dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Sipas akuzës, nga hetimet e kryera në lidhje me këtë çështje, ka rezultuar se më datë 14 qershor 2006, rreth orës 14:00, i pandehuri Ismail Kllokoqi (shtetas kosovar) ka kallëzuar se duke lëvizur me mjetin e tij tip "Opel" me targa 335 KS 851 në vendin e quajtur Kthesa e Gëziqit, në aksin rrugor Rrëshen - Kukës, i ka prerë rrugën një automjet tip "Peugeot" me targë TR 58 96 K. Nga ky automjet ka dalë personi nën hetim Artan Kamberi, i cili sapo ka shkuar tek automjeti "Opel", i drejtuar nga Kllokoqi, i ka qëlluar këtij të fundit në kokë me një mjet si pistoletë dhe më pas i ka marrë një celular, rreth 100 euro si dhe 3000 lekë të vjetra. Më pas, drejtimin e mjetit tip "Opel" e ka marrë vetë Artan Kamberi, ku në automjet ka qenë dhe Ismail Kllokoqi. Pasi janë kthyer në rrugë, janë nisur në drejtim të Rrëshenit. Pas disa km e kanë lënë Ismail Kllokoqin në rrugë së bashku me mjetin e tij, i kanë marrë gomën rezervë të "Opel"-it dhe Artan Kamberi me Paolo Gjokën kanë vazhduar rrugën në drejtim të Rubikut me mjetin "Peugeot". Pas njoftimit të bërë në polici për këtë ngjarje, forcat e policisë kanë mundur të ndalojnë te vendi i quajtur Guri i Kishës Rubik, Artan Kamberin dhe Paolo Gjokën. Nga këqyrja e automjetit tip "Peugeot" ka rezultuar se në bagazhin e këtij mjeti është gjetur një gomë tjetër rezervë. Kjo gomë është këqyrur në prani të Artan Kamberit dhe brenda saj janë gjetur 8 pako, 500 gramë secila, me peshë të përgjithshme 3 936 kg, të dyshuara si lëndë narkotike. Nga deklarimet e marra katër personave nën hetim, ka rezultuar se Artan Kamberi dhe Paolo Gjoka gjatë vjedhjes kanë marrë dhe gomën rezervë të mjetit në pronësi të Ismail Kllokoqit, ku ishte fshehur lënda narkotike. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar gjithashtu se Fatmir Maliqi ka lidhje shoqërore me Ismail Kllokoqin dhe e ka ndihmuar këtë të fundit për trafikimin nga Shqipëria për në Kosovë të lëndëve narkotike, ndërkohë që gjatë shqyrtimit gjyqësor, rezultoi se Maliqi nuk ka pasur dijeni për drogën e mikut të tij. Gjatë hetimeve ka rezultuar se Kamberi dhe Gjoka, pasi kanë ndaluar Kllokoqin e kanë kërcënuar këtë të fundit me një mjet që dukej si pistoletë. Në bazë të aktit të ekspertimit teknik, ky send ka rezultuar të jetë një çakmak me gaz në formën e armës pistoletë, por nuk është armë zjarri. Pasi i kanë marrë me dhunë celularin dhe një sasi të hollash Ismail Kllokoqit, Paolo Gjoka dhe Artan Kamberi në bazë të informacionit që kishin më parë, kanë marrë dhe gomën rezervë të mjetit të Ismailit ku kishte fshehur dhe lëndën narkotike.

Detaj

4 kg ishte sasia e heroinës kapur të pandehurve, e cila vinte nga Kosova dhe ishte e ndarë në 8 pako

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›