Një 20-vjeçar padit Ministrinë e Mbrojtjes për gjymtim
Një 20-vjeçar ka paditur institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes për gjymtim. Bazuar në objektin e padisë, 20-vjeçari kërkon dëmshpërblim nga ky institucion, pasi është verbuar dhe gjymtuar si pasojë e një shpërthimi në një poligon qitjeje në kryeqytet. Ilir Havalja së bashku me dy kushërinjtë e tij, Gentian e Hamit Çupi, kanë qenë duke kaluar pranë zonës dhe si pasojë e shpërthimit të një predhe, është plagosur rëndë. Pasi ka kaluar gjendjen e vështirë për jetën, djali, i cili shoqërohet kudo nga prindërit, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës. Iliri kërkon që Ministria e Mbrojtjes ta dëmshpërblejë shëndetin e tij, të paguajë një person, mundësisht mjek 24 orë në 24, për t'i shërbyer pas gjymtimit, si dhe të shpërblehet morali i tij, pasi që pas kësaj ngjarjeje, ai nuk ka më mundësi të shijojë jetën, duke jetuar në ankth, dëshpërim dhe frikë. Në derën e zyrës së gjykatëses Elbana Lluri, e cila do të shqyrtojë këtë çështje, e ëma, Farija, tregon se pas stërvitjes, zona duhej të kontrollohej për sigurinë e banorëve. "Duhet të na shpërblejë Ministria e Mbrojtjes ose të na njoftonte më parë se ajo zonë ishte e minuar”, - thotë Farije Havalja.