E Diel, 1 Nëntor 2026

Merr rrugën e kthimit kapiteni i Brustel

Durrës Armando Ulqinaku kërkoi publikisht ndihmë për riatdhesim në muajin shkurt

Kapiteni i anijes shqiptare “Brustel” merr rrugën e kthimit së bashku me një pjesëtar tjetër të ekuipazhit. Kështu, pas shumë peripecish në det të hapur e të bllokuar në anije, mes aventurash të zakonta e të pazakonta për jetën e marinarëve, një pjesë e tyre kanë mundur të mbërrijnë pranë familjeve të tyre. Ndërkaq, Armando Ulqinaku me detyrë kapiten i anijes “Brustel” deri në çastin e largimit prej saj, si dhe mekaniku i parë, Avni Ceka. Ndërkaq, në Libi, pranë anijes të ankoruar në portin e Misuratës ka shkuar kapiteni dhe ekuipazhi i ri që do të zëvendësojë 5 të larguarit duke iu bashkuar 6 të mbeturve në anije, dy oficerëve, kryemekanikut, motoristit, elektricistit dhe një marinari. Ceka dhe Ulqinaku, ndërkohë janë nisur pasditen e kaluar nga aeroporti i Tripolit drejt Turqisë dhe pas disa orësh transit atje, do të fluturojnë drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas. Lajmin e bëjnë të ditur familjarë të kapitenit të anijes. Ulqinaku dhe Ceka kanë familjet respektive në Tiranë dhe Durrës që kanë afro një vit pa i parë. Deri tani janë kthyer mekanikët Arjan Domi dhe Mehmet Sylhasani, si dhe kuzhinieri Kastriot Abazaj. Në shkurt të këtij viti, kapiteni i anijes kërkoi ndihmë publikisht duke treguar situatën e rënduar në të cilën ndodhej ekuipazhi që ishte bllokuar në portin e Misratah-s në Libi. Pas shlyerjes së detyrimeve që kompania “Bruno” sh.p.k. kishte ndaj agjencisë libiane të lundrimeve, anija mund të ndërmerrte lundrimin e radhës po një defekt në motorin kryesor e bën të pamundur lëvizjen e tyre. Marinarët i drejtohen Ministrisë së Jashtme, duke i kërkuar të ndërhyjë sa më shpejt për riatdhesimin e 11 marinarëve të saj dhe sqaruar kushtet në të cilat ndodhen. Mes një pjese të marinarëve të “Brustelit” dhe pronarit të saj kanë lindur mosmarrëveshjet që janë shoqëruar me akuza dhe kundërakuza. E ndërsa marinarët, përfshirë dhe kapitenin kërkojnë rrogat e papaguara për gjashtë muajt e fundit, pasi familjet e tyre po përjetojnë nga ky fakt një situatë të rënduar ekonomiko-financiare, pronari i akuzon për prishje të imazhit dhe mbajtjen peng të anijes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›