Obot, njerëzit e përmbytur tri herë ngrihen në protestë
Banorët e Obotit kanë protestuar dje për masat e dëmshpërblimeve. Të përmbytur për të tretën herë brenda këtij viti, banorët janë grumbulluar përpara Komunës Ana e Malit dhe janë ankuar për masat e dëmshpërblimeve të përmbytjes së parë. Sipas tyre, vlerësimi ka qenë qesharak, ndërkohë që përmbytja e tretë u ka shkaktuar dëmtime tepër të mëdha. Një nga banorët e Obotit, Mati Tomaj, duke folur për gazetën shprehet se: “Sot kam ikur për të marrë parat e dëmshpërblimit të përmbytjes së parë dhe ishte një shumë qesharake. Më thanë se do të merrja 100 mijë lekë, ndërkohë që dëmi në shtëpinë time ka qenë 700 mijë lekë. Kemi shkuar për të marrë paratë e dëmit të përmbytjes së parë, ndërkohë që jemi ende të mbuluar nga uji i përmbytjes së tretë. Qeveria duhet të bëjë diçka, pasi kështu nuk jetohet. Nga ana tjetër i kërkojmë qeverisë që të rikthejë grupet e verifikimit të vlerësojë siç duhet dëmet nga përmbytja e parë dhe të vlerësojë dëmin që aktualisht ka janë bërë këto ditë”.
Ndërsa Vlash Gocaj, banor i zonës, shprehet se nuk është vlerësuar as një e katërta e dëmit të shkaktuar nga përmbytjet e para. “Këta thonë që nuk do të rishikohen vlerësimet që janë bërë. Nuk dimë ku të ankohemi, duhet bërë një zgjidhje. Qeveria duhet të shohë mundësinë për të parë gabimet që janë bërë në verifikimin e dëmeve, pasi kjo nuk ka asnjë arsye të ndodhë. Aktualisht, ne jemi në ujë nga përmbytja e tretë dhe po diskutojmë për të marrë dëmshpërblimin real të përmbytjes së parë. Kjo tregon se sa borxh na ka qeveria”.
Ndërsa Pashuk Pemaj, banor i Obotit shprehet se: “Qeveria nuk duhet të vonojë e të sjellë sërish grupet e verifikimit, pasi nga përmbytja e tretë na janë shkaktuar po aq dëme, sa edhe herën e parë. Kam rreth 10 dynym tokë të mbjella me jonxhë që më është shkatërruar nga uji që erdhi herën e fundit”.
Si për ironi të fatit në një kohë kur banorët po shkojnë të tërheqin parat e dëmshpërblimeve të përmbytjes së parë, atyre u duhet të përballen me dëmet e përmbytjes së tretë.
Ndërkohë, ndonëse uji në tokat e zonës së Nënshkodrës gjatë ditës së djeshme ka pasur tërheqje të ndjeshme, argjinaturat që mbrojnë Nënshkodrën janë në gjendje të mjerueshme. Me gjendje fizike ku ndodhen, mjafton një hapje sado e vogël e portave të hidrocentralit të Vaut të Dejës që Shkodra të përmbytet.
Sipas banorëve të fshatit Darragjat, ka mbi 20 vite që nuk është vënë dorë në argjinaturat mbrojtëse. Por ajo që të bën përshtypje është fakti dhe pas dy përmbytjeve të para nuk u kujtua askush të nisë rehabilitimin e argjinaturave, duke çuar në përmbytjen për herë të tjera të zonës së Nënshkodrës.
Në çdo mbledhje të shtabit të emergjencave është mëshuar fakti i nevojës emergjente për të ndërhyrë në argjinaturat e Nënshkodrës, por ndonëse përmbytjet pasojnë njëra-tjetrën, argjinaturat janë harruar prej 20 viteve.
#