E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi i femrave, tani brenda vendit

Fier Vajzat e fshatit shfrytëzohen në qytete

Ndërsa autoritetet policore shprehen se kanë vënë pothuajse nën kontroll trafikimin e paligjshëm drejt shteteve të tjera, mbetet fenomen shqetësues trafikimi i qenieve njerëzore nga zonat rurale drejt atyre urbane. Vajzat e zonave rurale kanë qenë objekt i trafiqeve brenda vendit. Ky ka qenë shqetësimi kryesor i transmetuar në takimin e zhvilluar të enjten pranë Prefekturës së Fierit, lidhur me ngritjen e komitetit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme. Në këtë takim doli se Qarku i Fierit renditet i pari në vend për shkallën e trafikimit të qenieve njerëzore, ndërsa më pas renditet Elbasani. Ky fakt tronditës ka dalë gjatë takimit të së enjtes në Prefekturën e Fierit, ku u ngrit Komiteti Rajonal Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Ka qenë drejtuesja e Shërbimit Social pranë zyrës së punës, Rita Moçi, e cila përveçse e ka deklaruar si shqetësim këtë fakt ka akuzuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier për mungesë bashkëpunimi në lidhje me luftën kundër trafikimit.

“Ka pasur raste që ne edhe pse e kemi marrë vesh në mënyra të tërthorta që policia ka pasur raste të trafikimit të qenieve njerëzore ne nuk jemi thirrur apo njoftuar zyrtarisht për bashkëpunim. Në këto kushte ne e kemi pasur të pamundur ta trajtojmë rastin. Shihet një shmangie që policia po na bënë prej kohësh”, ka thënë Moçi, e cila ka pohuar gjithashtu se kanë qenë me dhjetëra raste të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat edhe pse kjo zyrë i ka trajtuar nuk janë bërë publike për të ruajtur privatësinë “e viktimave”. Ndërkaq, kreu i policisë së Fierit, Mërgim Hoxha ka thënë se: “Ne nuk kemi pasur raste që duhet të njoftojmë shërbimin social. Ato raste që ne kemi kaluar nuk kanë qenë për mbështetje sociale, por i kemi deleguar drejt prokurorisë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›