Rrëmbyesi: Do shkoja në Çamëri, ku kam tokën
Eduart Rexhepi, 32-vjeçari nga Patosi, i cili tri ditë më parë mori peng autobusin e linjës Tiranë – Sarandë është përballur të enjten me togat e zeza. Përtej hekurave të izolimit të sallën e gjyqit i riu ka shfaqur disa herë gjatë seancës gjyqësore çrregullime mendore. Familjarët edhe pse ishin njoftuar për masën e sigurisë e kanë “braktisur” Eduart Rexhepin, i cili prej vitesh është bërë i rrezikshëm edhe për ta. Kërkesa e vetme e familjarëve ka qenë izolimi i 32-vjeçarit në spital, si dhe mjekimi i tij. Me pranga në duar dhe nën shoqërinë e uniformave blu, Eduart Rexhepi, sapo ka zbritur nga makina e policisë ka deklaruar se ka një mision të qartë, mbrojtjen e Atdheut dhe tokës. Ndërkohë që gjyqtari ishte tërhequr për të marrë vendim gazeta mundi të shkëpuste pak dëshmi të pandehurit. “Më çoni në shtëpi. Dua nënën dhe motrën time, ku janë ato”, ka thënë 32-vjeçari në momentin kur jepej vendimi i masës së sigurisë për të.
Me mendime jo fort të radhitura dhe të çekuilibruara Rexhepi ka folur për një mision për mbrojtjen e tokës dhe të atdheut. “Unë jam vetvetja. Unë mbroj atdheun tim që ka nevojë për mua dhe më thërriti. Qëllimi ishte Kakavija dhe më pas çamëria ku kam tokën time”. Ndërsa për qenin që kishte therur pak ditë më parë ai tha se: “Nuk jam i dhunshëm ndaj njerëzve, por nuk i dua kafshët. Në kohë krize qeni dhe kafshët nuk duhet të na hanë bukën”. Akuzat e ngritura ndaj Eduart Rexhepit janë heqja e padrejtë e lirisë së shumë personave, si dhe vjedhje dhe shkatërrim me anë të djegies i pronës së tjetrit.
#