“Tiranë, ushtarët komando korrierë droge me pagesë”
Trazhgim Sokolaj
Tre personat e dyshuar për trafik heroine, dy prej të cilëve ushtarë të repartit Komando në Zall-Herr, kanë rënë në kurthin e përgatitur nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit konfirmoi dje se ka autorizuar disa agjentë të infiltruar të policisë, që të hynin në kontakt me personat që mbanin një kilogramë heroinë dhe të luanin rolin e blerësit, me qëllim kapjen e lëndës narkotike. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, mësohet se dy ushtarët e arrestuar ishin punësuar nga zotëruesi i drogës, i cili u ka kërkuar atyre ta ndihmojnë në lëvizjen e lëndës narkotike dhe për këtë do të merrnin pjesë në ndarjen e fitimit. Procedimi penal që u finalizua mbrëmjen e të mërkurës me arrestimin e tre personave dhe bllokimin e kokainës, është filluar nga Prokuroria e Tiranës më 12 gusht 2008 me numër dosje 2551. Ky hetim fillimisht është regjistruar vetëm ndaj Mehmet Belbës, me akuzën e “prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”. Më 12 gusht 2008 në organin e akuzës ishte paraqitur një material policor, që tregonte se i dyshuari Mehmet Belba zotëronte një sasi heroine dhe po kërkonte treg për shitjen e saj. Menjëherë Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal dhe ka filluar hetimin. Fillimisht është autorizuar përgjimi i bisedave telefonike të personit të dyshuar si pronar i drogës, Mehmet Belba, pasi në këtë kohë dy ushtarët nuk rezultonin të implikuar. Interpretimi i bisedave telefonike të bëra më pas prej këtij personi, ka zbuluar se ai kishte kontakte gati të përditshme me dy ushtarët e repartit Komando në Zall-Herr, Elvis Arifaj dhe Martin Gjocaj.
Blerja e stimuluar
Pasi kanë krijuar një ide të qartë mbi bashkëpunëtorët e pronarit të drogës, hetuesit kanë mësuar nga përgjimet telefonike se ai kërkonte ta shiste sa më shpejt heroinën. Në këtë mënyrë, Prokuroria e Tiranës ka autorizuar procedurën e “blerjes së stimuluar”. Deri më tani kishte vetëm dyshime se Mehmet Belba zotëronte një sasi heroinë, por provat mungonin për të besuar se kjo ishte e vërtetë. Në këtë mënyrë, përmes disa inskenimeve dhe veprimeve të specializuara në terren, disa persona të panjohur, agjentë të infiltruar të policisë, kanë hyrë në kontakt me Mehmet Belbën. Ata i kanë shprehur atij interesin për blerje heroine dhe pasi ka ngurruar për disa ditë, i dyshuari është shprehur se zotëronte një sasi heroine. Në këtë mënyrë, është vendosur që takimi për këmbimin e heroinës me paratë të zhvillohej mbrëmjen e të mërkurës, më 27 gusht, në afërsi të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, rreth orës 20:00. Agjentët e policisë të shoqëruar edhe nga njësia e operacioneve speciale, kanë mbërritur aty para orarit të caktuar, ndërsa në 19:45, një makinë me targa TR 34 31 M është shfaqur në sheshin para stadiumit. Mehmet Belba ka telefonuar njërin nga personat që kishin porositur drogën, duke i thënë se ishte pranë vendit ku do të bëhej këmbimi i heroinës bashkë me “pakon”. Porositësi, agjent i policisë, ka konfirmuar se edhe ai ishte aty. Ai i ka kërkuar të dyshuarit të ndalonte makinën në vend të dukshëm dhe të priste. Në këtë kohë skuadra e operacioneve speciale të policisë ka ndërhyrë, duke arrestuar në flagrancë Mehmet Belbën dhe dy ushtarët e repartit Komando, Martin Gjocaj dhe Elvis Arifaj, si dhe duke bllokuar drogën dhe pesë shashka luftarake.
“Burg pa afat”, u kap me 313 gramë kokainë
Gjykata e Tiranës vendosi dje të linte në qeli deri në përfundim të hetimeve 26-vjeçarin nga kryeqyteti, Klodian Çerpja, i cili u prangos katër ditë më parë teksa po mbante në makinën e tij 313 gramë kokainë. Sipas Prokurorisë, Çerpja, me origjinë nga Dibra dhe banues në kryeqytet, u arrestua pasditen e së hënës në rrugën “Don Bosko”, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në makinën e tij u gjet kokaina, të cilën ky pretendoi se përdorte vetë. Organi i akuzës kërkoi ndaj të dyshuarit masën e sigurisë “burg pa afat”, e cila u la në fuqi.
Blerja e stimuluar
Blerja e stimuluar është një nga procedurat që Prokuroria dhe Policia mund të zbatojnë gjatë procedimit penal në rastet e goditjes së krimit të organizuar, trafiqe të paligjshme armësh, droge apo qeniesh njerëzore. Blerja e stimuluar njihet në Kodin e Procedurës Penale dhe duhet të bëhet me autorizim nga Prokuroria, ndërsa realizimi i saj i përket agjentëve të sektorëve të veçantë të Policisë së Shtetit. Ata hyjnë në kontakt me të dyshuarit dhe stimulojnë shitjen, lëvizjen e drogës, armëve apo sendeve të paligjshme, ose kryerjen e një vepre penale nga personat në hetim, gjithnjë në rast se kjo nuk sjell pasoja për sigurinë dhe popullatën.