E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rokadë në policinë e Elbasanit, Gjirokastrës, Vlorës dhe Lezhës

 

TIRANE - Ndryshimet në strukturat lokale të Policisë së Shtetit, prekin drejtoritë e katër qarqeve. Emërimet e reja në policinë e Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës dhe Lezhës, janë bërë të ditura dje nga zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku, ndërsa një ditë më parë ato janë firmosur nga kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi. Kështu vendi i lënë vakant nga Drejtuesi i Parë, Hysni Burgaj, në krye të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, është zënë nga Arben Hyseni, i cili deri të mërkurën kryente detyrën e drejtorit të policisë së Elbasanit, prej gati dy vitesh. Në vend të Arben Hysenit, në Elbasan është komanduar drejtori i Forcave Speciale, Hamdi Fjora. Ndërkaq, vendi vakant si zv/drejtorit në Drejtorinë e Qarkut të Elbasanit që ishte i tillë prej shumë muajsh, është zënë nga Ylli Metko, që kryente detyrën e zëvendësdrejtorit të policisë së Gjirokastrës. Po kështu edhe shefi i qarkullimit të Elbasanit, Blerim Laçi, është transferuar në të njëjtën detyrë në Komisariatin e Përmetit. Pas Hysenit në detyrën e zëvendësdrejtorit të Gjirokastrës është emëruar Halit Murati, që ka kryer të njëjtën detyrë më parë në policinë e Qarkut të Vlorës dhe atë të Fierit. Tashmë bosh ka mbetur i zëvendësdrejtorit të Policisë së Vlorës. Ndërkaq shefi i komisariatit të Gjirokastrës, kryekomisar Artan Osmani ka këmbyer vendet me shefin e komisariatit të Laçit, kryekomisar Nazmi Shuli. Po kështu edhe shefat e qarkullimit të Laçit dhe të Gjirokastrës kanë këmbyer vendet mes tyre. Motivet e disa prej ndryshimeve të policisë janë kërkuar nga vetë efektivat e transferuar për motive familjare. Por disa të tjera janë argumentuar zyrtarisht nga zëdhënësja e policisë, si lëvizje që synojnë të ndryshojnë impulsin e punës së policisë, në strukturat e saj vendore ve-çanërisht në Gjirokastër.      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›