Partizani e Tirana ndahen në paqe
Derbi i 133-të midis Partizanit dhe Tiranës ka dalë jashtë parashikimeve, pasi pakkush besonte se "demat e kuq" do të dominonin bardheblutë. Megjithatë takimi i djeshëm solli shumë emocione, por jo fitues, pasi gjithçka u mbyll në barazim 2-2. Pavarësisht faktit se takimi u mbyll në barazim, padyshim Partizani është fituesi moral i këtij derbi, pasi djemtë e trajnerit Shpëtim Duro, megjithëse shikoheshin inferiorë ndaj "milonierëve" bardheblu, përsëri arritën të luajnë një ndeshje të pëlqyeshme. Partizani e nisi keq takimin, pasi Tiranës u deshën vetëm 78 sekonda për të shënuar golin e parë, i cili erdhi më shumë për faj të të kuqve se sa për meritë të kundërshtarit. Ky fillim ishte i frikshëm, pasi më mirë ishte të thuhej se Tirana e nisi lojën me avantazhin e një goli dhe mund të pritej ndonjë goleadë. Të kuqtë nuk ranë në pesimizëm, por gjetën forca dhe gjatë gjithë pjesës së parë ushtruan presion ndaj kundërshtarit. Nëse futbollistët e Partizanit do të ishin më të saktë, padyshim pjesa e parë nuk do të përfundonte 0-1, pasi bardheblutë kanë gjuajtur në portë vetëm në rastin e golit. Fillimi i pjesës së dytë nisi po me të njëjtën melodi. Partizani sulmonte gjithandej dhe dukej qartë harmonia midis reparteve. Dyshja e mesfushës Babamusta-Karabeci dukeshin në formë, pasi nga këmbët e tyre niste shkatërrimi i sulmeve të Tiranës si dhe "gatuheshin" aksionet e të kuqve. Gjuajtja mjeshtrore e Karabecit i shtoi besimin Partizanit, pasi pas golit të barazimit gjejnë edhe golin e dytë me anë të sulmuesit Ngjela, që së bashku me Bakjan kanë qenë në ditën e tyre, duke u bërë problemi numër një për bardheblutë. Por edhe kësaj radhe nuk ishte e thënë që Partizani të fitonte në kryeqytet, pasi në minutat e fundit ndëshkohen duke u mjaftuar me vetëm një pikë. Në këtë pjesë të dytë ranë në sy edhe vendimet e dyshimta të anësorit Fatmir Lamaj, i cili në disa raste gaboi në ngritjen e flamurit duke sinjalizuar për pozicione të paqena jashtëloje. Gjithsesi kjo dukuri nuk është gjë e re për të kuqtë, por Partizani duhet përgëzuar për shpirtin e garës që treguan në derbi si dhe në ngjalljen e shpresës për të reflektuar. Ndërsa Tirana edhe dje konfirmoi situtën e keqe që po kalon klubi dhe me këtë hap fals janë diferencuar katër pikë nga Vllaznia e vendit të parë.