Meryl Streep sërish drejt Oskarit: Filmi im më i bukur? Fëmijët e mi...
Në prag të 60-vjetorit (qershorin e ardhshëm) e madhja Meryl Streep vazhdon të gjenerojë mrekulli në skenë. Pasi ka kënduar dhe kërcyer në filmin “Mamma Mia” tani është protagoniste në dramën teologjike “Dyshimi” (Doubt), të shkruar dhe të drejtuar nga John Patrick Shanley (fitues i çmimit Oskar për skenografinë e “E magjepsur nga hëna”, 20 vjet më parë) dhe përshtatjen e të njëjtës pjesë për teatër, Çmimi Pulitzer në 2005-ën. Ngjarjet e vendosura në një shkollë katolike në Bronks, më 1964, tregojnë konfliktin mes motër Aloisius (Streep), nënës murgeshë që drejton institutin me një disiplinë të hekurt, dhe një prej mësuesve (Philip Seymour Hoffman), një prift progresist me ide jo shumë ortodokse. Interpretimi në këtë film i bën Streep dhe Seymour Hoffman kandidadë të mundshëm për çmimin Oscar. Shumë e tërhequr nga mediat Streep ka pranuar të japë një intervistë për gazetaren italiane të “La Repubblica”, Silvia Bizio.
Meryl ke xhiruar njëri pas tjetrit “Mamma Mia”, “Doubt” dhe “Julike&Julia”. Si ia del që punon kaq shumë, ju jeni edhe nëna e katër fëmijëve?
Gjatë këtij një viti e gjysmë kam xhiruar edhe dramën historike “Purple Mountain” dhe dokumentarin “Theater of War”, nuk isha sforcuar asnjëherë kaq shumë. Jo se jam shndërruar në një maniake të punës, ndodhi rastësisht. Ishin të gjithë role shumë të bukur që nuk mund t’i refuzoja. Gëzoj shëndet shumë të mirë dhe jam plot energji, kjo është e mrekullueshme për një 60-vjeçare. Është e vërtetë që fëmijët e mi tashmë janë rritur, jam e lirë t’i lë vetëm për një muaj ose dy, gjë që për vite nuk e kam bërë.
Nuk ju duket shumë i ashpër personazhi i motër Aloisius, për të mos thënë i keq?
Jo. Në vitin 1964 disa sjellje, si rrahja e fëmijëve ishin rregulla. Askush nuk i mbronte të rinjtë. Murgesha ndihet engjëlli i tyre mbrojtës. Vigjilenca e fortë që ushtron krijon efekte negative, por edhe kur gabon e bën nga dashamirësia.
Kush është dyshimi që ju bren më shumë?
Nuk ka njeri që të mos ketë dyshime. Dyshimi na karakterizon si qenie njerëzore. Ndryshimi në jetën fetare është indoktrinimi, të cilit i nënshtrohet forca e ritualit dhe besimi në lutje, që arrijnë të zhdukin dyshimin... Lum si ata. Do të ishte bukur tështriheshe për të fjetur pa asnjë fije dyshimi.
Më tregoni për “Julike&Julia”. Ju është dashur të shëndosheni rreth 8 kilogramë për rolin e Childs, krijuese recetash dhe shumë feministe në përpjekjet e saj për tu afruar me kuzhinën.
Është e vërtetë, ushëndosha ashtu siç e kërkonte metoda e dashur dhe e vjetër e aktrimit. Childs ishte e rrumbullakosur, unë e lashë vetën të lirë. Për të mësuar të gatuaj si ajo m’u desh të ndiqja me përpikmëri recetat e saj. Nuk është se bëra ndonjë dietë specifike për tu shëndoshur. Me që jemi tek tema e filmit: Kur dyshon përpara furrës, shto gjalpë, shprehej Childs. Në shtëpi ishin të gjithë të kënaqur me provat e mia.
Ende dëfreheni pas kaq vitesh aktrim?
Absolutisht që po. I dua këto gra, të interpretoj ato role për mua është një fat, është një privilegj. Zbavitem teksa i jap fytyrë jetëve kaq të ndryshme. Të jesh aktor është e mrekullueshme: regjisori nuk mund të jetë kurrë i qetë gjatë xhirimeve, ndërsa ne aktorët mund të bëjmë çfarë na pëlqen.
Si do ta përcaktoni shkollën e aktrimit Meryl Streep? Çfarë këshillash do t’u jepnit aktorëve të rinj.
Këshilla, pak. Do t’u thoja që reflekto për atë që do t’i tregosh botës, mos e bëj vetëm për vete por edhe për të tjerët. Kujto që puna që bën është plot me përgjegjësi. Aktrimi është gjurma jote, është ajo që lë për njerëzit. Arti ynë është një formë komunikimi që kërkon një dozë të mirë teknike. Kjo është e gjitha.
A ndiheni një nënë e lumtur dhe e realizuar?
Shumë e lumtur. Mëmësia ka kaluar çdo parashikim timin. Ka qenë...filmi im më i bukur.
Çfarë raporti keni me konceptin e autoritetit, për të cilin bën fjalë edhe “Doubt”?
Më intrigon shumë të kuptuarit se çfarë e bën të fortë një lider. Jam një vëzhguese e shoqërisë dhe e zakoneve. Në familjen time kam pasur sukses si figurë autoritare, në kuptimin e mirë të fjalës. Shpresoj edhe në sheshxhirimet e filmave.
Ndiheni besimtare?
Jo, jam rritur si një presbiteriane “e lehtë”, dhe nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje të indoktrinojë fëmijët e mi. Feja për mua është diçka shpirtërore, shumë private dhe intime. U trishtova dhe u zhgënjeva kur Kisha Katolike, pikërisht në vitet për të cilat flet “Doubt”, kaloi nga gjuha latine në ata angleze. Papritur kuptohej gjithçka dhe nuk ishte më interesante.
Ju jeni një përjashtim i rregullit Hollivudain “Nuk ka role të mira për aktoret e njëfarë moshe”?
Nuk ka sepse m’i japin të tëra mua. Bëj shaka, ka më shumë femra regjisore, më shumë role interesante televizive, gjërat po ndryshojnë dhe jo vetëm për mua.