Për dashurinë e "familjarëve" të vegjël
Të mbash një qen apo një mace, nuk do të thotë t’i hedhësh ushqim vetëm atëherë kur leh, apo mjaullin. Mbajtja e kafshëve shtëpiake, tashmë është një koncept i ri, ai i përkujdesjes ndaj tyre
Ndjeshmëria ndaj kafshëve shtëpiake sa vjen dhe rritet. Në shumë shtëpi dhe apartamente nuk kursehen shpenzimet e zotërinjve ndaj kafshëve të tyre të dashura. Ato duket se janë shndërruar në familjarë me të drejta të plota. Të kesh një mace ose qen për shoqëri, nuk është vetëm një kapriçio fëmijësh, por një dëshirë e të gjitha moshave. Disa preferojnë qentë, si më besnikë dhe si lajmëtarë të përpiktë rreziku, të tjerë, kryesisht femrat, janë të dhënë pas maceve dhe racave të vogla qensh. Kujdesi është i përditshëm, si për këdo në familje. Secila nga kafshët ka nevojë për vëmendjen përkatëse, për ushqim të shëndetshëm, ushtrimet e duhura fizike për të mos humbur instiktin kafshëror që e karakterizon. Qeni është një gjitar mishngrënës. Pas zbutjes dhe përshtatjes për kafshë shoqërie, rreth 100.000 mijë vjet më parë, qeni pësoi dallime të dukshme nga paraardhësi i tij mishngrënës, ujku. Këtij të fundit i ngjasojnë ekzemplarët e qenve të racës së pastër, dhe jo të përzier, një ndër këto raca është edhe i ashtuquajturi qen kufiri. Ngjashmëri të dukshme me ujkun kanë edhe qentë e racës haski, që është një lloj qeni shtëpiak, jo shumë i përhapur në familjet shqiptare. Tiparet më të përafërta të qenit me ujkun janë forma e zgjatur e nofullave, dhëmbët e qenit të gjatë dhe të mprehtë, shputat me thonj ose kthetra të mprehta. Qeni është një kafshë me shkathtësi dhe fleksibilitet trupor të admirueshëm, ka një kuptueshmëri në evoluim ndaj komunikimeve të ndryshme që i vijnë nga i zoti. Sipas informacionit shkencor që morëm pranë një klinike veterinare, qeni ka kapacitet më të zhvilluar nxënieje se sa ç’do kafshë tjetër. Sipas të dhënave që na u ofruan, 280 mijë familje shqiptare mbajnë një qen ose një mace për shoqëri, ose për nevoja të ndryshme. Macja është, gjithashtu, një gjitar mishngrënës në masë të vogël trupore, rrjedh nga familja e felinëve. Vendi nga e ka origjinën macja është Egjipti dhe Mesopotamia. Në këto vende, kjo kafshë cilësohej si e shenjtë, dhe jo rrallë, macet mumifikoheshin dhe mbështilleshin nëpër sarkofagët e familjeve më të pasura të Egjiptit ose të Mesopotamisë. Në një studim të kohëve të fundit, botuar në revistën prestigjioze “Science”, thuhet se vetë njeriu ka favorizuar përhapjen dhe masivitetin e kësaj specieje feline, duke e marrë atë me vete në udhëtimet e tij. “Edhe pse është një kulturë e re, përsëri, ata persona, të cilët mbajnë kafshë në shtëpi dinë t’i trajtojnë. Vijnë kërkojnë këshilla për ushqimin, sidomos në rastet kur kafsha është e sëmurë, i vaksinojnë herë pas herë. Pra i bëjnë trajtimet e duhura. Që të mbash një kafshë shtëpiake, duhet të jesh edhe në gjendje të mirë ekonomike, në mënyrë që edhe kafshën ta trajtosh ashtu siç duhet,” - deklaron Geri Hala, veteriner në kryeqytet.
Kur qeni bashkëjeton me macen
“Unë u jam përkushtuar të dyja palëve, edhe qenve, edhe maceve”, - na thotë Julika Tabaku, një studente e vitit të 6-të në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës. Ajo, në shtëpinë e saj, ka edhe mace, edhe qen. Macja e saj quhet Miki dhe është racë aziatike, kurse qeni quhet Aski dhe është një heski i përzier. “Kam një qen dhe një mace. Qeni quhet Aski, macja quhet Miki. Qeni është racë haski i përzier. Aski është 3 vjeç. E ushqejmë me ushqim të gatshëm dhe blejmë çdo muaj, ose dhe më shpesh, një thes 10 kg, që kushton 2 mijë lekë. Përveç kësaj, preferon dhe ushqime të tjera, çfarëdolloj gjëje që t’i servirësh. Vizita tek veterineri nuk e di me saktësi se sakushton, po pak a shumë, rreth 3 mijë lekë. Kjo varet nga lloji i vizitës. Vizita bashkë me kurën anti-parazitare, plus vaksina, kushton diçka më shtrenjtë se 3 mijë lekë. Miki është racë aziatike, është 6 vjeç e gjysmë, në prill bën 7 vjeç. Trajtimi te veterineri kushton po aq sa edhe qeni. Për vaksinat që duhen bërë dhe mjekimet kundra parazitëve, janë para plus. Po ashtu, duhen blerë solucione për parazitë ç’do muaj. Çmimet në para variojnë nga marka e solucionit. Unë, personalisht, nuk e di se sa mund të kushtojnë Miki dhe Aski, sepse i kam të dy dhuratë. Por, nga çmimet që variojnë në tregun e kafshëve, di që një qen apo një mace, mund të kushtojë nga 8 mijë, deri në 30 mijë lekë, kjo në varësi të llojit. Jam shumë e dhënë pas këtyre kafshëve, janë pjesë e shtëpisë, madje kisha goxha kohë që nuk i cilësoja kafshë”.
Pekinezi, raca më e shitur, sepse… ha pak
Banorët e kryeqytetit janë më të dhënë pas qenve, sidomos të racës pekineze. Arsyeja? E thjeshtë fare! Sepse pekinezët janë më të lirë për t’u mbajtur se të gjithë qentë e tjerë. Janë të vegjël, hanë pak, nuk kanë nevojë për shumë shampo qensh për t’u larë dhe zënë pak vend në apartamentet relativisht të ngushta të tiranasve.
Mace persiane apo siameze? Kë të marr?
Janë të dyja shumë të veçanta. E para ka një trup krejtësisht të mbuluar nga një qime e gjatë dhe e butë, ndërsa e dyta karakterizohet nga qimja e shkurtër dhe sytë shprehës. Por, një rivale e denjë për to është edhe macja e përzier, të cilën shqiptarët e preferojnë më shumë për shkathtësinë dhe lojërat e shumta që bën.