E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalom Tirana

Kultura hebraike viziton kryeqytetin përmes tingujve të muzikës sefardite. “Mashalá”, banda e artistëve nga pesë origjina të ndryshme, në një koncert jo të zakontë në Tiranë

“Mashalá” themi kur shohim diçka të bukur. E jo vetëm ne. Edhe një kulturë e lashtë si ajo hebraike shprehet kështu në të njëjtat rrethana. “Mashalá” është edhe emri që mban një bandë me pesë artistë që luajnë muzikë sefardi.

Në vitin 1998 Elen Gould Ventura, këngëtare dhe aktore kanadeze, shkon në Spanjë për të kërkuar rrënjët e saj sefardi. Aty takohet me katër anëtarët e tjerë dhe lind “Mashalá”. Grupi luan muzikë sefardi dhe mizrahi të shkrirë me jazz. Vokali është vetë Ellen, shpesh e shoqëruar nga marokeni Aziz Khodari që luan në perkusion. Në violinë venezueliani Ernesto Briceno, në kontrabas italiani Franco Molinari dhe me lahutë arabe kiliani Lautaro Rosas. Pak ditë më parë, “Mashalá” ka luajtur në Teatrin e Operës dhe të Baletit dhe i ka dhuruar publikut jo vetëm tinguj sefardi por edhe muzikë arbëreshe të kënduar në ladino, gjuha në të cilën këndojnë artistët sefardi.

Ellen Gould Ventura tregon për bandën, kulturën sefardi dhe projektet për tu rikthyer në Shqipëri.

Çfarë është muzika sefardi?

Muzika që luajmë është Sefardi, por gjithashtu është një përzierie me Mizrahi, që do të thotë fuzion (shkrirje). Mizrahi është emri në hebraisht që izraelitët i vunë hebrenjve që erdhën në Izrael nga Iraku, Jemeni dhe vendet e botës arabe. Një nga këngët tona p.sh, nuk është vetëm sefardi por është edhe turke, gjë që tregon shkrirjen e kulturave. Ajo është si një muzikë hebreje që vjen nga Orienti, ana lindore.

Kur sefarditët u dëbuan nga Spanja, ata emigruan në shumë vende, përfshi edhe Ballkanin. Sefardi dhe Mizrahi vjen kryesisht nga vendet ku ata u vendosën. Ky është shpjegimi më i mirë që mund të jap.

Sefardi në hebraisht, do të thotë Çifutë të gadishullit Iberik dhe në njëfarë mënyre ajo që i identifikoi sefarditët ishte Gadishulli Iberik. Nga aty pastaj kaluan në Azinë e Vogël, në Indi, në vende të tjera të Orientit dhe në Ballkan. Mund të them se një pjesë e mirë e muzikës bosnjake dhe bullgare është sefardi.

Si u bashkuat ju, pesë njerëz të kombësive të ndryshme?

Ne jemi takuar në Barcelonë, që është një vend vërtet kozmopolitan dhe i mbushur me shumë kultura. Kontakti i parë ishte nëpërmjet ish perkursionistit të grupit. Ai luante në banda të ndryshme dhe kështu që u njohëm me gjithë pjesëtarët.

Si ndikon në muzikën tuaj fakti që iu përkisni kulturave të ndryshme?

Ernesto është nga Venezuela dhe është ndikuar shumë nga muzika e Amerikës së Jugut, por gjithashtu edhe nga ajo që ka mësuar në universitetin e Berkeley-t në SHBA. Ai është ndikuar nga shumë muzikantë të njohur me të cilët ka interpretuar. Unë vij nga Kanadaja, që është një vend i ri emigrantësh. Jam ndikuar shumë nga muzika jazz që luante babai im. Azizi vjen nga Maroku dhe ka një formim klasik arab në perkusion dhe në vokal. Por nuk sjell vetëm kaq, sjell edhe përvojën e marrë gjatë udhëtimeve. Përveç kësaj, ai ka shumë njohuri mbi ritmet arabe dhe ritmet nga Afrika e Veriut, dhe po aq mirë njeh disa ritme të veçanta si psh Said. Azizi sjell gjithë këto dhe më pas ndodh evoluimi i muzikës së “Mashalá”.

“Mashalá” është një grup që këndon muzikë tradicionale sefardi apo ka një repertor të vetin?

Ajo që bëjmë është një shkrirje e muzikës. Ne fillojmë me një bazë të muzikës sefardi dhe mizrahi që është shumë e vjetër dhe ka emigruar në shumë vende. Gjuha në të cilën këndojmë quhet Ladino (një përzierje e hebraishtes me spanjishten). Por këndojmë edhe në hebraisht, arabisht dhe frëngjisht. Ka gjuhë të ndryshme në muzikën sefardi. Gjërat që ne bëjmë janë origjinale. Tingujt e violinës së Ernestos p.sh. janë shumë bashkëkohore. Ato kanë një linjë jazz që bandat e tjera sefardi nuk e bëjnë, pasi janë shumë tradicionale dhe të lidhura me origjinën. Ka muzikologë që na thonë se ajo që bëjmë nuk është muzikë sefardi. Por kjo është evolucioni jonë, ne e kemi sjellë muzikën sefardi në shekullin e XXI në mënyrën tonë. Ato janë këngë tradicionale por kanë të veçantën që ne i japim. Instrumentet ndoshta janë tradicionale por ne fusim diçka nga vetja. Çdo pjesëtar i bandës i përshtat vetë pjesët e tij.

Ju kënduat një këngë arbëreshe por në gjuhën ladino. Si e zbuluat?

Unë i dërgova Eduart Dashit, (personit që ishte kontaktuar nga ambasada), një cd me muzikën që luajmë. Dhe ai tha ne e njohim këtë këngë, tekstin e kemi edhe në shqip. Kështu që u bë. Kur isha njëherë në një festë me njerëz nga vende të ndryshme në Ajzerbaxhan, Kanada, Liban interpretova një këngë irakene por që këndohet në gjuhën hebraike. Të gjithë pjesëmarrësit e dinin këtë këngë, secili në gjuhën e tij. Dhe kjo më bëri të ndjehesha shumë e mikpritur. Kjo muzikë është si shtëpia, si një vend ku mund të shkosh.

Këngët që luanit kishin edhe atmosferë arabo-myslimane.

Muzika judeo-arabike mendoj që është njësoj si njerëzit, është njësoj si të përshkruash. Ka një anë islame, ka një anë hebreje dhe një anë të krishterë gjithashtu. Një këngë e repertorit tonë është kënduar për herë të parë nga Said Darwish, dhe vjen nga Egjipti i vitit 1920. Kënga u bë e famshme nga një këngëtar i krishterë nga Libani i quajtur Fairus. Muzika që bëjmë nuk mund të quhet islame, por ka ritme të saj dhe kjo për shkak të Azizit. Është si puna e hebrejve me myslimanët. Ne jemi të gjithë vëllezër. Kemi baba të përbashkët dhe nëna të ndryshme.

Ku këndojnë “Mashalá”?

Fillimisht kemi kënduar në një mjedis universitar në Spanjë, në një konferencë filozofie mbi format e kulturës. Pastaj na erdhi një telefonatë për një festival ndërkombëtar në Barcelonë “Diversons”. Aty nisi një projekt që zgjidhte çdo vit 10 grupe që luanin muzikë tradicionale, dhe gjatë periudhës 2006-2007 ne ishim një ato grupe. Ideja ishte që të realizonim koncerte nëpër fshatra të Spanjës, me mesazh tolerancën. Sepse Spanjaka një nam të keq për refuzimin që i bën të kaluarës etnike. Sepse ne jemi spanjollë me origjinë hebereje, arabe dhe kristiane. Një vit më pas filluam të organizonim projekte dhe koncerte. Ky vit ka qenë një vit ndryshe sepse kemi bërë një dokumentar, produksion kanadez, i cili flet për kërkimin e rrënjëve sefardi, pra, unë që kthehem në Spanjë.

Do të kthehen sërish “Mashalá” në Shqipëri?

Ne kemi një ide që do të donim të funksiononte. Koncerti që dhamë në Teatrin e Operës dhe të Baletit na dha shumë mundësi që të njihemi me muzikën tuaj dhe sidomos me atë arbëreshe dhe të bënim një “shkrirje” këngësh.

Kemi një projekt për të kënduar më një orkestër. “Mashalá” me artistë shqiptarë dhe maqedonas, të shkrijmë kulturat tona, të gjejmë këngë që i këndojnë këto kultura, me vargjet në gjuhën e tyre dhe të këndojmë së bashku.

Streep flet për filmin e saj më të ri “Dyshimi” ku interpreton së bashku me Philip Seymour Hoffman. Një murgeshë e paepur, e përfshirë në një skandal. Pothuajse 60 vjeç në një vit e gjysmë ka xhiruar katër filma dhe një dokumentar. “Jam plot me energji dhe i dua femrat që interpretoj, jetët e tyre janë kaq të ndryshme.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›