Tragjeditë në ujë të shqiptarëve
Tragjedia e djeshme në liqenin e Farkës nuk ishte e para për shqiptarët. Madje, në vitet e kaluara janë shënuar ditë zie, të cilat kanë marrë edhe më shumë jetë njerëzish. Ndërsa mbytja e studentëve në liqenin e Pogradecit i përket shumë viteve më parë, një tjetër tragjedi në Shkodër solli vdekjen fatale të disa gjimnazistëve. Mirëpo, orët e zeza për shqiptarët u shënuan pikërisht më 28 mars të vitit 1997. Kjo datë mbahet mend si tragjedia në kanalin e Otrantos ku humbën jetën 84 shqiptarë, që shpresonin për një jetë më të mirë. Pikërisht disa milje larg bregut shqiptar, anija “Sibila”, e marinës ushtarake italiane, goditi motovedetën shqiptare duke shkaktuar vdekjen e të paktën 84 shqiptarëve, trupat e disave edhe sot nuk janë gjetur. Ndërsa po aq tragjike do të mbahet mend dhe tragjedia që ndodhi katër vite më parë. Më 9 janar 2004 ndodhi tragjedia në brigjet e Karaburunit përpiu 20 jetë njerëzish. Shqiptarët që ndodheshin në gomone ishin nisur në mënyrë ilegale për të mbërritur në brigjet italiane, sërish për një jetë më të mirë. Për këtë ngjarje pati fajtorë të ndëshkuar nga Drejtësia shqiptare, duke nisur që nga skafistët dhe sekserët, që mendohej se organizuan nisjen me gomone dhe përcaktimin e pagesës. Vetëm 6 persona mundën t’i mbijetonin tragjedisë. Për këtë ngjarje u fajësuan dhe strukturat e shtetit, për neglizhencë të ngjarjes. Familjarët e viktimave vazhdojnë të enden dyerve të gjykatës për të marrë dëmshpërblimin që pretendojnë se u takon nga qeveria.
7 Mars 2008