Palët kanë gjetur akordin, por firma mungon ende
Migen Memelli vazhdon të mbajë “peng” merkaton e Tiranës. Presidenti Refik Halili ka konfirmuar se nëse sulmuesi vendos të qëndrojë në radhët e bardhebluve, atëherë klubi nuk do të ndërhyjë në merkaton e janarit. Në rast të kundërt, pra nëse golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar vendos të largohet, kampionët në fuqi do të synojnë blerjen e një tjetër sulmuesi. Prej mbylljes së gjysmës së parë të sezonit palët kishin arritur akordin parimor për të vazhduar bashkëpunimin, por firma në kontratë ende nuk ka ardhur.
Tashmë gjithçka është në dorën e Memellit: nga çdo vendim i tij do të varet edhe drejtimi që do të ndjekë klubi. Lojtari po shqyrton edhe alternativat për të vazhduar karrierën jashtë Shqipërinë, ndërsa ka bërë të ditur se brenda një jave do të vendosë përfundimisht. Ai i ka premtuar presidentit Halili se nëse do të qëndrojë në Kategorinë Superiore, do të luajë vetëm për Tiranën, megjithatë kontrata e ofruar duhet të jetë 2-vjeçare.
Të shtunën, kur skuadra e drejtuar nga Alban Tafaj do të fillojë fazën përgatitore, do të zhvillohet edhe faza finale e bisedave, ndërsa në radhët e kryeqytetasve janë mjaft optimistë se Memelli nuk do të largohet. 29-vjeçari cilësohet si një prej pikave të forta të skuadrës në garën për vendin e dytë (momentalisht Dinamo kryesuese është shumë e shkëputur) dhe stafi teknik ka kërkuar me forcë qëndrimin e tij.