E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi ka shenuar deri tani 7 gola ne Ligen e Kampioneve

Ai ka tani 7 gola këtë edicion të Champions Leagues-. Flasim për “Magjistarin” Lionel Mesi, i cili për Barcelonën e tij ka dhënë edhe 4 asistë, të gjitha këto në vetëm 6 ndeshje dhe është barazuar në kuotën 7 të rrjetave me dy legjenda të Ligës së Kampionëve. Raul Gonzales dhe Andrij Shevçenko kishin arritur të shënonin 7 gola deri në këtë moment në një sezon të vetëm në kupën më të rëndësishme të Europës, pra deri në ndeshjen e parë të turit të dytë, të turit të një të tetave të finaleve.
Gjithsesi, Mesi ka një epërsi ndaj dyshes së mësipërme, pasi Shevçenko 3 nga 7 golat në sezonin 1998-1999, kur luante për Dinamon e Kievit, i shënoi në dy turet eleminatore, ndërsa Raul shënoi 7 gola duke shfrytëzuar dy faza grupesh dhe ndeshjen e parë të turit me eleminim direkt. Pra, spanjolli shënoi 7 gola në 13 ndeshje në sezonin 1999-2000, sezon kur e fitoi Champions-in me Realin e Madridit. Kurse Mesi i ka shënuar në vetëm 6 ndeshje, pasi trajneri Pep Guardiola vendosi që ai të mos luante në ndeshjen e fundit në grup ndaj BATE-s së Borisovit.
Sezonin e kaluar, Mesi shënoi 12 gola në 13 ndeshje, duke u shpallur kampion i kontinentit, ndërsa gjithsej ai ka 44 gola në 63 ndeshje, duke dhënë edhe 14 asiste. Rekordi në një sezon nga Shevçenko është 10 gola (në 1998-1999), po kaq është edhe rekordi i Raulit (10 gola në 1999-2000).
Gjithashtu, Mesi është baraz me rekordin e dytë të shënuesit më të mirë në këtë kompeticion, pasi ky rekord është pikërisht 12 gola, arritur nga Rud Van Nistelroi më 2004-2005 me Mançester Junajtid, ndërsa rekordin absolut e mban Ferenc Pushkash që shënoi 14 gola më 1959-1960 për Realin e Madridit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›