E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi rekordmen Guardiola gjeni

Një tjetër gjysmëfinale e arritur, një tjetër kundërshtar i mposhtur dhe një tjetër rekord i vendosur. Lionel Mesi nuk e ndal vrapin e tij drejt Olimpit të futbollit. Me dopietën e realizuar në portën e Milanit, ylli argjentinas ka vendosur një rekord absolut në Champions League për gola të shënuar në një edicion.
Ndërkohë, ai ka barazuar primatin që mbahet nga një legjendë e futbollit, si Zhoze Altafini. 14 janë golat e realizuar nga Mesi në një sezon të vetëm të aktivitetit më prestigjioz për klube, ndërsa më parë në kupat e Europës këtë kuotë e kishte arritur vetëm Altafini, në sezonin 1962-’63 me fanellën e Milanit, kur aktiviteti quhej Kupa e Kampionëve.
Gjatë këtij sezoni Mesi ka vendosur rekordin e numrit më të madh të golave të shënuar në një ndeshje europiane, 5, ndërsa ka arritur edhe kuotën e 50 rrjetave në Champions, diçka që më parë e kishin realizuar vetëm tre emra të mëdhenj si Raul, Henri dhe Van Nistelroi. Por, duke qenë se është vetëm 24 vjeç, Mesi ka edhe shumë vite për të përmirësuar statistikat, ndërsa realisht që deri më tani duket e pamundur për ta ndalur.

Kjo edhe për faktin se “pleshti” luan te Barcelona, skuadra e fenomenëve, por ndoshta ylli më i shndritshëm i skuadrës katalane ndodhet në stol. Ai është Pep Guardiola. Në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, pikërisht atë kundër Milanit, ai shpiku një modul të ri loje, duke përdorur skemën 3-3-4.
Me Alvesh që luante si një mesfushor ofensiv në të djathtën, Fabregas në rolin e qendërsulmuesit të rremë dhe Mesin që luante pak më i tërhequr për të pasur liri veprimesh, Guardiola vendosi që në krahun e majtë të aktivizonte talentin e radhës së “canteras”, Kuenkan, duke lënë në stol një lojtar si Aleksis Sançez që ka kushtuar plot 40 milionë euro.
Me një llogari të thjeshtë, në sulm Guardiola ka aktivizuar 4 lojtarë, ndërsa skuadra u rreshtua me tre në mbrojtje dhe mesfushë. Ndoshta për këtë arsye reparti difensiv i katalanëve dukej i brishtë, por në të vërtetë “blaugranat” ia arritën qëllimit: të mbanin kontrollin e topit, ku çdo aksion zgjaste minimalisht 2-3 minuta dhe të hapte mbrojtjen e Milanit.
Kjo risi vinte pas disa eksperimenteve të mëparshme të Guardiolës, që pasi riktheu në modë skemën 3-5-2, gjatë këtij sezoni ka provuar edhe variantet aspak të zakonshme 4-2-4 dhe më ekstremin 2-3-5.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›