Teuta e Durresit mundi 3-1 Studentin
Kampionët në fuqi goditën ndoshta disi papritur, madje në fushë kundërshtare. Teuta e Durrësit, titullmbajtësja në volejboll për meshkuj në Shqipëri, fitoi 3-1 në fushën e Studentit, ndeshjen e parë të finaleve të plej ofit në kampionatin kombëtar.
Rezultati i seteve ishte 25-18 për Teutën, 25-21 për Studentin dhe dy të fundit 25-20 dhe 25-23 po për durrsakët për të siguruar fitoren 3-1.
Kryeqytetasit patën epërsinë e faktorit fushë, duke qenë se përfunduan në vendin e parë gjatë sezonit të rregullt, por kjo nuk i vlejti të paktën për ndeshjen e parë dhe tani do të jetë Teuta që do ta ketë këtë favor.
Titulli kampion do të vendoset pas 5 takimeve dhe në 4 përballjet e mundshme, 2 do të jenë në Durrës dhe dy në “Asllan Rusi”. Studenti është shpallur vazhdimisht kampion për vite me radhë, por pikërisht sezonin e kaluar durrsakët e prishën ekuilibrat duke u bërë forcë e parë e volejbollit shqiptar.