Stramaccioni si Mourinho

Presidenti i Interit, Massimo Moratti ka krahasuar trajnerin Andrea Stramaccioni me ish strategun triumfues të skuadrës, Jose Mourinho.
“Isha optimist para takimit. Mbeta i tillë edhe pasi mbetëm me 10 futbollistë”, deklaroi Moratti për Sky Italia pas fitores 1-0 ndaj Milanit të dielën mbrëma.
“Ky takim më kujtoj betejën me Barcelonën në rrugë drejt triumfit në Ligën e Kampionëve, pasi edhe në atë duel u desh të luftonim me 10 futbollistë. E kam zgjedhur Stramaccionin për aftësitë e tij teknike, por edhe për inteligjencën. Për mua ai është i ngjashëm me Mourinhon sa i përket përkushtimit të tij në punë. Njësoj sikurse Mourinho, Stramaccioni është trajner i mirë”, përfundoi Moratti.