E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina tregon dhëmbët

Prishtina i ka treguar dhëmbët ndaj Hajvalisë, në ndeshjen e fundit të xhiros së nëntë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Skuadra prishtinase, pas rezultateve zhgënjyese në duelet e fundit, ia doli ta mposht Hajvalinë me rezultat 4:2, në takimin e zhvilluar në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë.

Bardh e kaltrit kanë bërë rikthim në rezultat, pasi që debutuesi i elitës së futbollit kosovar kaloi në epërsi në minutën e 39-të me anë të Fillim Guraziut.

Prishtina i barazoi shifrat në minutën e 54-t me anë Driton Vokshit, që e devijoi një top të Faton Zejnullahut.

Vetëm tetë minuta më vonë, Azem Ahmeti i kaloi në avantazh prishtinasit, pas devijimit të topit nga ana e Kastratit.

Driton Krasniqi e shtoi epërsinë e prishtinasve në minutën e 83-të, kurse Zeneli ia shtoi përkohësisht shpresat për një barazim vendësve, një minutë para fundit të takimit.

Por, Qëndrim Sejdiu shënoi një super gol në minutën e fundit të ndeshjes, për tri pikët e reja të Prishtinës, e cila iu afrua në dy pikë liderit Trepça ’89.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›