E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, 10 mijë deri në një rrogë shpërblim

Autori i Lajmit: Entela Duraj
“Burime nga Drejtoria Arsimore Tiranë konfirmuan se shpërblimi do të jetë 10 mijë lekë të reja deri në një pagë të plotë, ku si kriter do të jetë performanca e çdo mësuesi në mësimdhënie. Ata që do të rezultojnë me performancën më të lartë nga drejtoria e shkollës, do të marrin edhe shpërblimin më të lartë. Po sipas të njëjtave burime, shpërblimi do të shpërndahet brenda dhjetorit dhe nuk ka asnjë rrezik për të mbetur në muajin janar të vitit 2009”

Të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar do të marrin shpërblim për festat e fundvitit. Burime nga Drejtoria Arsimore Tiranë konfirmuan se shpërblimi do të jetë 10 mijë lekë të reja deri në një pagë të plotë, ku si kriter do të jetë performanca e çdo mësuesi në mësimdhënie. Ata që do të rezultojnë me performancën më të lartë nga drejtoria e shkollës, do të marrin edhe shpërblimin më të lartë. Po sipas të njëjtave burime, shpërblimi do të shpërndahet brenda dhjetorit dhe nuk ka asnjë rrezik për të mbetur në muajin janar të vitit 2009. ”Ndarja e shpërblimeve për arsimtarët është ajo me të cilën po merremi këto ditë. Jemi në veprimet e fundit për të ndarë shpërblimet për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar. Pjesa më e madhe e arsimtarëve do të marrin 10 mijë lekë të reja shpërblim, ndërsa do të ketë edhe një pjesë, të cilët do të marrin një pagë të plotë shpërblim. Por kjo sigurisht që do të varet nga performanca e këtyre mësuesve në punë, duke u nisur nga të dhënat e drejtorisë përkatëse të çdo shkolle ku mësuesit japin mësim. Shpërblimi do të jepet brenda kësaj jave dhe nuk ka asnjë rrezik për të mbetur në janar të 2009-ës ashtu sikurse spekulohet”, sqaruan për gazetën “Ballkan” burime nga sektori i Ekonomisë dhe Administrimit pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë. Një vit më parë, pati reagime nga Sindikata e Arsimit dhe e Shkencës, të cilët pretenduan për ndarje të padrejtë të shpërblimeve. Sipas tyre, pati abuzime në vlerësimet e performancës së mësuesve pasi shpërblimi prej një rroge në pjesën më të madhe shkoi për ata mësues që nuk e meritonin. Vlerësimi i nivelit të mësuesve me subjektivizëm është shqetësimi kryesor që ka pasur çdo vit Sindikata e Arsimit dhe e Shkencës. Kjo për shkak se ekziston rreziku që të shpërblehen me një rrogë mësues që nuk janë në nivelin e duhur dhe anasjelltas. Dhënia e shpërblimeve bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit. Rrjedhimisht, personat që janë emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të marrin një shpërblim që reflekton periudhën e tyre të punës, në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që ka marrë në rastet e ngritjeve në detyrë. Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore ose kalojnë në listë pritjeje, marrin shpërblim. Nëse në fund të vitit të vlerësimit fondi i shpërblimeve nuk konsumohet plotësisht, për shkak të vlerësimeve “Jo mjaftueshëm” të mbarëvajtjes në punë, sekretari i Përgjithshëm mund të autorizojë një rritje të masës së shpërblimeve për punonjësit e vlerësuar me nivelet nga 1 deri në 3, brenda fondit të përcaktuar. Shpërblimi i punonjësve të administratës është i përcaktuar në fondin e pagave dhe ajo do të shpërndahet nga të gjitha institucionet sipas përcaktimit që ka.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›