E Diel, 1 Nëntor 2026

PLL-Spahia: “Me Berishën në 2009-ën për një mandat deputeti”

Autori i Lajmit: red.
Partia Lëvizja e Legalitetit zhvilloi mbledhjen e saj të Këshillit Kombëtar, e cila rikonfirmoi edhe një herë angazhimin në rrugën e traditës më të mirë dhe vazhdueshmërisë në të njëjtat parime të ligjshmërisë, respektimit dhe zhvillimit të vlerave kombëtare, orientimit euroatlantik, shtetformimit dhe qeverisjes efikase. Sipas PLL, 24 dhjetori, datë e shënuar në historinë e Shqipërisë dhe Legalitetit, sepse më 24 dhjetor të vitit 1924, plot 84 vjet më parë, iu dha fund paligjshmërisë, depërtimit dhe instalimit të ideologjisë komuniste, mungesës së qeverisjes, mungesës së stabilitetit dhe turbullirave të tjera që u shkaktuan nga grushti i shtetit i qershorit 1924 dhe filloi një etape e re në historinë e shtetit shqiptar, i cili nën drejtimin e Ahmet Zogut, nisi rrugën e emancipimit shoqëror, zhvillimit ekonomik dhe orientimit drejt qytetërimit perëndimor. Këshilli Kombëtar i PLL analizoi në mënyrë të plotë situatën politike në vend, bëri vlerësimet përkatëse dhe caktoi detyra konkrete për të ardhmen. Tani aktiviteti politik i PLL ka kaluar në një stad të ri, stadin e përgatitjeve intensive për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke e konsideruar si të suksesshme qeverisjen e vendit nën drejtimin e kryeministrit Berisha dhe si shumë të mira marrëdhëniet e bashkëpunimit të Partisë Lëvizja e Legalitetit me Partinë Demokratike, Këshilli Kombëtar u shpreh për nevojën e një vazhdueshmërie të përbashkët në realizimin e programit qeverisës dhe fitoren e një mandati të ri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia Lëvizja e Legalitetit përshëndet miratimin e ligjit "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve", ndonëse sipas pikëpamjes tonë ai është i butë dhe i vonuar. Për t iu përshtatur sa më mirë aktivitetit politiko-organizativ të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe veçorive që imponon sistemi elektoral dhe Kodi i ri Zgjedhor, Këshilli Kombëtar i PLL vendosi të zgjerojë me tre sekretarë të rinj Sekretariatin e PLL, përkatësisht me zotërinjtë Besnik Murati, Enis Dizdari dhe Gazmend Lita. Gjithashtu, në Këshillin Kombëtar u caktuan 12 përfaqësues të lartë të partisë, nga një për çdo qark, të cilët do të drejtojnë organizimin dhe gjithë përgatitjet për fushatën dhe procesin e ardhshëm zgjedhor në nivel qarku.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›