E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesit e shkollës “NOBEL” padisin presidentin e “Taçi OIL”*

Nga * Ish-mësues të shkollës “NOBEL”

Një konflikt i rëndë midis mësuesve dhe drejtorit të shkollës “NOBEL” nga njëra anë, me administratorin (aksionerin kryesor të shoqërisë “Gines R&J”, z. Rezart Taçi, shoqëri kjo në të cilën bën pjesë shkolla “NOBEL”) nga ana tjetër, ka bërë që të largohen nga shkolla të gjithë mësuesit dhe drejtuesi i saj.

Sipas informacioneve që vijnë nga mësues dhe prindër të kësaj shkolle, ky konflikt e ka zanafillën te një kredi prej 3 milionë Eurosh që z. Taçi kishte kërkuar nga një bankë për shkollën, kur jo më shumë se 7 muaj më parë kishte marrë po për këtë shkollë një kredi prej 950.000 Eurosh nga një bankë tjetër. Kredia e re e kërkuar prej tij nuk u firmos nga ortaku tjetër i shoqërisë, njëkohësisht dhe drejtori i shkollës, për faktin se shkolla nuk kishte kapacitet dhe aftësi paguese për ta shlyer atë. Të gjithë mësuesit dhe një pjesë e madhe prindërish mbështetën veprimin e drejtorit. Për rrjedhojë, marrëdhëniet ndërmjet administratorit Taçi dhe stafit pedagogjik u acaruan deri aty, sa largohet nga detyra drejtori, si dhe të gjithë mësuesit refuzojnë të rinovojnë kontratën me administratorin, z. Taçi.

Në vijim të këtij konflikti, administratori, z. Taçi, iu ndërpret marrëdhëniet ekonomike një pjese të mësuesve dhe drejtorit të shkollës, edhe pse ata ishin me lejen e zakonshme, edhe pse kontrata atyre iu mbaronte më 30 gusht 2008.

Ky veprim i fundit i administratorit ka bërë që mësuesit t’i drejtohen institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe kanë bërë padi në gjykatën e rrethit gjyqësor, Tiranë.

Fenomene të tilla, në këto vite tranzicioni, ku konfliktet midis administratorëve (pronarëve) të shkollave private dhe stafeve pedagogjike kanë qenë pothuajse prezente. Po të vëzhgosh me kujdes, vetëm në shkollat private të Tiranës, një pjesë mësuesish të këtyre shkollave largohen nga detyra dhe ndërrohen me të tjerë pothuajse çdo vit. Në të gjitha shkollat private, pothuajse të gjithë drejtuesit janë ndërruar mesatarisht dy-tri herë brenda këtyre 5 viteve të fundit. Por, ajo që të çudit, është fakti se këto ndërrime apo me mirë shkarkime nga detyra, janë bërë apo propozuar jo nga organet kompetente, shtetërore, të cilat kanë atributet dhe kapacitetet për të vlerësuar punën e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave, por ato bëhen nga administratorët (pronarët ) që në përgjithësi, në rastin më të mirë janë me arsim të mesëm apo të lartë të pambaruar dhe në rastin më të keq, me arsim tetëvjeçar. Rasti i shkollës “NOBEL” ndoshta do të jetë unikal, pasi vetëm pas një viti të hapjes së saj janë larguar të gjithë mësuesit dhe drejtuesi i saj. Është unikal edhe për faktin se drejtuesi i kësaj shkolle ishte aksioner i saj dhe një nga njohësit e ekspertët me të spikatur të arsimit parauniversitar me gradën Doktor e titullin Profesor i Asociuar, të mbrojtura në fushën e drejtimit e administrimit të arsimit.

Padyshim që fenomene të tilla ndikojnë tepër negativisht në ecurinë e këtyre shkollave dhe sigurisht pasojat bien mbi nxënësit dhe prindërit e tyre. Është rasti të theksojmë, se shteti dhe qeveria nuk mund të qëndrojnë indiferente dhe inaktive. Këto shkolla janë pjesë e sistemit shqiptar të edukimit dhe fëmijët që i ndjekin ato, janë fëmijët e taksapaguesve shqiptarë. Shteti, me mekanizmat dhe institucionet e tij, duhet të ndërhyjë për parandalimin e këtyre fenomeneve, si dhe të ndëshkojë fajtorët.

Ndoshta, është bërë emergjent rishikimi i Ligjit për Sistemin Parauniversitar, pasi ekzistuesi iu jep të drejta e kompetenca absurde vetëm administratorëve (pronarëve) të shkollave private, megjithëse Leja që jepet nga MASH për hapjen e funksionimin e shkollave private është tepër profesionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›