Rama: Largimi i FMN, papërgjegjshmëri e qeverisë, hap derën e gremisjes
Kryetari i Partisë Socialiste e ka cilësuar dje si arrogant e të papërgjegjshëm qëndrimin e qeverisë shqiptare për të mos kërkuar një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe për mos e lejuar më këtë institucion të monitorojë zhvillimet ekonomike të vendit tonë. Edi Rama tha dje se ky qëndrim i qeverisë e bën me turp atë dhe të gjithë qytetarët. Kryetari i Partisë Socialiste tha se për rrezikun e madh që bart largimi i FMN mjafton vetëm fakti që në vitin 1996 qeveria e atëhershme e presidentit Berisha atëbotë prishi të gjitha paratë e buxhetit të shtetit në vetëm 6 muajt e parë për qëllime elektorale. Partia Socialiste vlerësoi se FMN është një institucion që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për tranzicionin shqiptar, duke dhënë drejtpërdrejtë një ndihmë të pazëvendësueshme për reformat në të gjitha fushat, veçanërisht për financat publike e për ristrukturimin e sistemit bankar. Me një retorikë të ashpër dhe të mbështetur në të dhëna të ekonomisë sonë sot dhe të sjelljeve të qeverisë së sotme ndaj treguesve të ekonomisë së vendit, kryetari i Partisë Socialiste tha se ajo është krejt kundër këtij qëndrimi të qeverisë dhe se ajo kërkon që FMN të vazhdojë të jetë e pranishme në Shqipëri. Ajo mund të jetë e vetmja garante. Në të vërtetë, qeveritë shqiptare, në rast se FMN nuk do të ishte e pranishme dhe nuk do të ishte monitoruese e zhvillimeve, buxhetit dhe e mbrojtjes së treguesve të ekonomisë, do të kishin çuar dëm buxhete dhe do të kishin rrënuar treguesit. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë hallka e vetme imponuese, e cila nuk ka lejuar thellim të borxhit publik, thellim të deficitit, kryerjen e investimeve pa kritere, rritjen e pagave dhe të pensioneve, sipas klimës dhe për qëllime elektorale. Në vitin 2005, FMN, teksa po hartohej buxheti i vitit 2006, i kërkoi qeverisë të balanconte buxhetin dhe shfaqi skepticizëm ndaj uljes së taksave. Qeveria shqiptare e pranoi dhe u detyrua të sillej më me kujdes. Po ashtu, edhe në vitin 2006, 2007 dhe tani FMN përherë ka qenë mosbesues edhe i ka imponuar qeverisë një buxhet të balancuar pa deficit të thellë dhe pa borxh të madh publik. Vitin e kaluar qeveria parashikoi të marrë 800 milionë dollarë kredi dhe qe FMN ajo që kundërshtoi dhe deficiti u ul në mesin e këtij viti po me këmbënguljen e FMN nga 7 për qind në 5,2 për qind të PPB. Në rast se FMN nuk do të ishte, treguesit ekonomikë do të ishin ndryshe. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dy ditë më parë se qeveria shqiptare është në gjendje t’i përballojë e vetme këto sfida. Ministri tha se ata ia kanë dalë në një kohë që, kur klima botërore e ekonomisë nuk është e mirë, të ruajnë treguesit ekonomikë të vendit dhe këtë gjë ata mund ta bëjnë edhe në një vit zgjedhor. Në të vërtetë, kjo është thjesht e tepërt, pasi Bode dhe qeveria do të kishin vepruar ndryshe në këto vite, nëse nuk do të ishte FMN. Në fund të këtij viti marrëveshja e Shqipërisë me FMN përfundon dhe do të duhet që qeveria shqiptare të kërkojë një tjetër marrëveshje që ai të qëndrojë. Qeveria mendon se ajo nuk ka nevojë për të.