Mësuesit me kontratë të përkohshme, mbaron më 31 dhjetor afati për 2243 arsimtarë
Jonida Tashi
Mbaron më 31 dhjetor 2009 kontrata e përkohshme e punës për 2243 arsimtarë në të gjithë vendin. Për rrjedhojë këta mësues, duke filluar që nga janari vitit të ardhshëm nuk do të jenë më pjesë e numrit të punonjësve mësimorë, nëse për ta nuk do të ketë më kontratë të re pune. Për t’i hapur rrugën zbatimit të vendimit për largimin e tyre nga puna, që është marrë në datën 28 tetor 2009, dje, në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi nr.1108, datë 28.10.2009 “Për përcaktimin e numrit të punonjësve mësimorë, me kontratë të
përkohshme, për periudhën 14 shtator–31 dhjetor 2009, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”. Sipas këtij vendimi, numri i punonjësve mësimorë me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2009-2010, për periudhën 14 shtator-31 dhjetor 2009, do të jetë 2 243 veta. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, sipas Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore (DAR/ZA), dhe afati kohor i kontraktimit të punonjësve janë përcaktuar në tabelën e mëposhtme. Në tabelë është përcaktuar numri i arsimtarëve që do të lenë vendet e punës brenda vitit si dhe rrethet që do të kenë më shumë shkurtime të punonjësve mësimorë.
Kontrata
Kontrata e re e punës kolektive për punonjësit arsimorë që ka nisur të hartohet në fillim të këtij viti shkollor do të nënshkruhet në nisje të vitit 2010. Ndonëse baza e kontratës kolektive do jetë ajo e vjetra, në të do të përfshihen edhe disa ndryshime të propozuara jo vetëm nga kjo Sindikata e Arsimit, por edhe nga vetë Ministria e Arsimit. Pikësëpari, shkak për nënshkruarjen e kontratës së kolektive të punës në arsim është bërë përfundimi i asaj aktuales, e cila mbaron në fund të këtij viti. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Sindikata e Arsimit në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit kanë vendosur që të bëjnë disa ndryshime në të, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës në sektorin e arsimit parauniversitar.
Pikat
Ndër pikat kryesore që janë diskutuar për t’u përfshirë në kontratën e re të punës, është kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit, e cila pritet të jetë për katër vjet. Por, deri në mbyllje të këtij viti, mësuesit do të vijojnë të punojnë me kontratat ekzistuese. Një pikë tjetër e propozuar nga Sindikata e Arsimit për kontratën e re të arsimtarëve është rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve. Po ashtu, një pikë tjetër që Sindikata e Arsimtarëve do t’i japë tepër prioritet për t’u përfshirë në kontratën e re do të jetë edhe lëvizja e mësuesve, për të frenuar lëvizjen e vazhdueshme të arsimtarëve sa nga një shkolla në një tjetër, për mungesë të emërimeve definitive. Më tej, një kërkesë tjetër, jo pak e dëshiruar nga arsimtarët në vend, që Sindikata e Arsimit do t’i parashtrojë Ministrisë së Arsimit është edhe rritja e pagave të mësuesve.
Juridiku, miratohen kuotat dhe tarifat për Doktoraturat
Miratohen kuotat dhe tarifat e studimit tre programe Doktorature për Fakultetin e Drejtësisë në kryeqytet. Sipas vendimit të qeverisë, kuotat e pranimit në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, për vitin 2009, do të jenë gjithsej 75, prej të cilave 15 për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë vendit. Ndarja e këtyre kuotave, sipas programeve të studimeve, është, si më poshtë vijon: Doktoratë në “Shkencat juridike civile“, 25 kuota; Doktoratë në “Shkencat penale”, 25 kuota; Doktoratë në “E drejta publike”, 25 kuota. Kurse tarifa e shkollimit për këto programe studimi të Doktoratës është 200 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Drejtësisë.
Bujqësori, përcaktohen 80 kuota pranimi për Doktoraturat
Miratohen kuotat e pranimit për katër programe Doktorature pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Kuotat e pranimit në Doktoratë, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për vitin 2009, do të jenë gjithsej 89, 10 prej të cilave do t’i takojnë kandidatëve nga trojet shqiptare jashtë kufijve të vendit. Ndarja e kuotave të mësipërme, sipas programeve të studimeve, është, si më poshtë vijon: Doktoratë në “Bujqësia dhe mjedisi”, 40 kuota; Doktoratë në “Ekonomi dhe agrobiznes”, 35 kuota; Doktoratë në “Shkencat dhe bioteknologjia ushqimore”, 5 kuota; Doktoratë në “Shkencat pyjore”, 9 kuota. Tarifa e shkollimit për këto programe studimi të Doktoratës është 200 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste, të caktuara nga fakultetet përkatëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Cikli i dytë i studimeve, qeveria rishpërndan sërish kuotat
Rishpërndahen sërish kuotat e pranimit për ciklin e dytë të studimeve, që përfshijnë Masterin e Nivelit të Parë dhe Diplomën e Nivelit të Dytë. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, kuota totale e pranimeve për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i Nivelit të Parë”, me kohë të plotë, për vitin akademik 2009-2010, do të jetë 7 570 pranime. Kjo kuotë totale do të rishpërndahet sipas skemës së mëposhtme: kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND) 2830; kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë” (MNP) 4470; kuota për programe të dyta studimi 100; kuota për transferimin e studimeve 100; kuota për të huajt 50; kuota për të verbrit (të veçanta) 20.
24 Dhjetor 2009