E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si i shpëtoi Klinton atentatit të Bin Ladenit

Vetëm pak çaste e kanë ndarë nga vdekja ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, ndaj të cilit në vitin 1996 ishte organizuar një sulm nga Bin Laden. Sulmi i dështuar ishte planifikuar gjatë vizitës së presidentit amerikan në forumin e bashkëpunimit ekonomik të Azi-Paqësorit. Ishte parashikuar që gjatë qëndrimit në Manila, Klinton të vizitonte dhe një politikan vendor, rruga për te shtëpia e të cilit kalonte nga ura në pjesën qendrore të Manilës. Në momentin që kolona e makinave të presidentit do të kalonte urën, shërbimi sekret mori mesazhe që sugjeronin se një sulm ishte plotësisht i mundshëm.
Shërbimet sekrete kishin kapur fjalë si “dasmë” dhe “urë”, kur dihet që fjala dasmë në kodin e terroristëve do të thotë vrasje.
Autokolona e presidentit amerikan menjëherë mori tjetër drejtim, ndërsa më vonë agjentët amerikanë zbuluan një bombë nën urë.
Hetimi i shërbimeve amerikane të sigurisë arriti në përfundimin se “sulmi ishte planifikuar nga një terrorist saudit që jeton në Afganistan, i quajtur Osama Bin Laden”. Megjithëse Al Kaida kishte pranuar se gjatë viteve të ’90-ta kishte pasur si cak sulmi presidentin Klinton, asnjëherë më parë nuk kanë dalë në dritë prova që tregonin se Bin Ladeni ka qenë i përfshirë në këto përpjekje. Komentatorët në Shtetet e Bashkuara shtrojnë pyetjen pse u mbajt kaq sekret sulmi i dështuar, për më tepër kur Klintonit më vonë iu desh të sulmonte bazat e Al Kaidës. Ramzi Jusuf, i arrestuar për sulmin ndaj kullave binjake në vitin 1993, pranoi se ishte planifikuar një sulm ndaj presidentit Klinton.
Në mesin e viteve ’90, në Manila jetonte dhe Khalid Sheikh Muhamed, i cili e ka paraqitur veten si trurin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›