E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çamët, gjyq ndërkombëtar ndaj Greqisë

Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe shoqata "Çamëria" kërkojnë mbajtjen e një gjyqi ndërkombëtar ndaj shtetit grek për gjenocidin e kryer ndaj popullsisë çame. Në një intervistë për "Shqip", kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, sqaroi se "PDI në bashkëpunim me shoqatën "Çamëria", në një kohë shumë të shkurtër do ta hedhim në gjyq ndërkombëtar shtetin grek për gjenocidin ndaj popullsisë çame". Kreu i PDI-së ripërsëriti edhe një herë kërkesat e komunitetit çam ndaj palës greke dhe kritikoi sërish deklaratat e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Hapi i parë i kësaj iniciative ishte edhe takimi në Strasburg mes kreut të PDI-së dhe komisionerit të Këshillit të Evropës për të drejtat e Njeriut, Thomas Hammerberg.
Zoti Muhedini, cilat do të jenë kërkesat e palës shqiptare për 2009-ën për zgjidhjen e problemit çam?
Siç e dini, PDI në programin e saj ka edhe zgjidhjen e çështjes çame. Komuniteti çam kërkon çështjet më elementare, që i takojnë në bazë të të drejtave të njeriut dhe në bazë të të drejtave të pronës. Komuniteti çam në radhë të parë kërkon dinjitetin e saj për atë gjenocid që ka ndodhur karshi popullsisë së pafajshme. Kërkojmë pronat, kërkojmë shtetësinë, që është hequr në mënyrë kolektive ku pas shkeljes së të drejtave të njeriut në bazë të kartave ndërkombëtare që edhe shtetësia të lidhet me të drejtën e personit që do apo jo ta mbajë këtë shtetësi. Popullsia çame kërkon të kthehet në shtëpitë dhe vatrat e tyre, si shtetas grekë dhe shteti grek duhet të kërkojë falje për atë gjenocid që i ka ndodhur asaj popullsie. Në një kohë që Greqia është pjesë e BE dhe me të drejta të plota dhe duhet të zbatojë në mënyrën më korrekte të drejtat e njeriut dhe të njohë pronën si të drejtë të patjetërsueshme. Por Greqia ka ngelur në ato shprehjet e saj që popullsia çame është bashkëpunëtore e fashizmit. Mendoj se kjo shprehje është bajate. Nuk ka asnjë lloj vlere dhe Greqia nuk mund të hedhë baltë mbi këtë gjenocid sidomos nëpër institucionet ndërkombëtare. Por përpjekja më e madhe është se komuniteti çam në sistemin e diktaturës nuk ka pasur mundësi t‘u jepte përgjigje Greqisë dhe të kërkonte të drejtat e njeriut. Me ndryshimin e sistemit të diktaturës në sistemin demokratik, kjo popullsi po kërkon sipas standardeve dhe konventave ndërkombëtare të drejtat e lirisë që i takojnë çdo njeriu, të drejtën e shtetësisë dhe të njohjes së pronës. Unë e them hapur se të drejtat e njeriut shihen me dy standarde. Shteti shqiptar e ka tipike nga BE që të drejtat e minoritetit të respektohen të gjitha, Shqipëria përveçse po i respekton dhe i zbaton të gjitha të drejtat e minoritetit grek, por u ka dhënë edhe shtetësinë greke, duke i bërë me dyshtetësi, të jemi të sinqertë që i kanë bërë edhe me prona. E kundërta ndodh me popullsinë çame, e cila kërkon shtetësinë, të cilën e ka pasur dhe ua kanë hequr dhe të drejtën e pronës. Nuk dua të zgjatem, por ka familje që kanë trungun familjar deri në 850 vjet më përpara. Çamët në krahinën e Çamërisë janë autoktonë. Bashkimi Evropian, Shqipëria dhe Greqia duhet të zbatojnë një standard kur flasim për të drejtat e njeriut. PD kur erdhi në pushtet u mor me popullsinë çame, u integruan në Parlamentin shqiptar dhe institucionet e shtetit shqiptar anëtarë të këtij komuniteti. Me një fjalë, institucionet nga viti 1960 deri në vitin 1991 kanë qenë në mënyrën minimale 1% e popullsisë në institucionet e shtetit. Ky është fakt. PD njohu edhe gjenocidin e 27 qershorit 1944, në vitin 1994, ku Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, me dekret e shpalli datën 27 qershor si ditën e gjenocidit. Në 1996 u krye edhe traktati i miqësisë midis Greqisë dhe Shqipërisë, por ky traktat miqësie që nga 1996 deri më sot nuk ka kryer asnjë funksion. PS nuk u mor fare me çështjen çame. Unë mendoj se përderisa politika shqiptare është e njohur me shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, të gjithë deputetët shqiptarë e pranojnë dhe ngërçi qëndron se pse Parlamenti shqiptar nuk e lë të zgjidhet çështja çame. Unë mund të them se çështja çame është një çështje kombëtare dhe në këtë çështje kombëtare duhet të kontribuojnë të gjitha forcat politike, pavarësisht forcave të majta apo të djathta. Kombi shqiptar ka pasur dy probleme kryesore siç ka qenë ndarja e Kosovës, krahina e Kosovës dhe krahina e Çamërisë. PDI e mirëpriti pavarësinë e Kosovës dhe falënderon të gjithë kontribuuesit që dhanë forcat politike të Kosovës dhe SHBA që ka ndihmuar se pas një shekulli padrejtësia që i ishte bërë popullsisë shqiptare kosovare më në fund mori pavarësinë e saj kurse me krahinën e Çamërisë nuk është e njëjta gjë. Popullsia çame nuk kërkon të bëhet shtet më vete, por kërkon që të jetë e integruar si shtetas grek me kombësi shqiptare, riatdhesimin, njohjen e pronës.
Cilët do të jenë hapat e parë të Partisë për Drejtësi dhe Integrim gjatë këtij viti për zgjidhjen e çështjes çame?
Për sa i përket gjenocidit, PDI po krijon një dosje në bazë të dokumenteve dhe fakteve të popullsisë çame, në bazë të arkivave të shtetit shqiptar dhe arkivave të huaj dhe mendojmë që ka ardhur koha që karshi shtetit grek të hapet një gjyq për gjenocidin e ushtruar karshi popullsisë çame të pafajshme. PDI në bashkëpunim me shoqatën "Çamëria" e cila na furnizon me materiale, bashkë me institutin e studimeve për Çamërinë dhe ne mendojmë që në një kohë shumë të shkurtër do ta hedhim në gjyq ndërkombëtar shtetin grek për gjenocidin ndaj popullsisë çame. Krahas kësaj, PDI kërkon nga shteti shqiptar që të zbatohen të drejtat e njeriut për popullsisë çame dhe të ndikojë pozitivisht karshi Greqisë, pavarësisht se Athina mban qëndrimin se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të fashizmit, një herë tjetër shprehet se kjo çështje është inekzistente, një herë tjetër sqaron që Ministria e Jashtme t‘i drejtohet Strasburgut, por unë mendoj që shoqëria e shëndoshë në shtetin grek ka pasur reagime pozitive karshi kësaj padrejtësie për komunitetin çam. Mund të them se historianët grekë kanë thënë haptas në disa leksione në Athinë se popullsia çame nuk ka qenë bashkëpunëtore e fashizmit dhe karshi kësaj popullsie është ushtruar gjenocid.
Pas reagimit tuaj për bashkëpunim me PBDNJ-në a ka pasur ndonjë reagim apo reflektim nga kjo parti për njohjen e të drejtave të komunitetit çam?
Pavarësisht se ka pasur reagime shumë të forta nga konservatorët ekstremistë, unë mund të them se e keqja më e madhe është se ne kemi edhe një forcë politike në Shqipëri siç është PBDNJ me kryetar Vangjel Dulen dhe ai si perifan telefonon mediat greke ku në një studio televizive një pjesë e minoritetit çam kërkon të drejtat e njeriut dhe zoti Dule merr në telefon duke thënë se ata që janë në studio janë fëmijë të bashkëpunëtorëve të fashizmit gjerman. Në një kohë që ky kryetar partie flet gjithmonë që të ndikohet pozitivisht për integrimin e Shqipërisë dhe se partia e tij po ndikon që Shqipëria të hyjë në BE, ndërkohë që i takon kryetarit të PBDNJ-së të merret me këtë çështje dhe të mbështesë komunitetin çam, të cilit i janë mohuar të drejtat. Unë mendoj se ky u shërben qarqeve antishqiptare dhe ekstremiste dhe e ka si ideologji integrimin e Shqipërisë, por mendoj se ai ka synim të kundërtën që Shqipëria të mos integrohet në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ne jemi të qetë dhe nuk duhet të merremi shumë me Vangjel Dulen, por ne mendojmë se integrimi i Shqipërisë kërkon bashkëpunim në radhë të parë dhe PDI dhe PBDNJ duhet të kenë marrëdhënie të mira dhe të ndikojnë pozitivisht që marrëdhëniet Greqi-Shqipëri të jetë një urë lidhëse për të zgjidhur problemet që ka edhe komuniteti grek, por edhe popullsia çame. Pavarësisht se ne kemi bërë disa kërkesa për të bërë takime, por na janë refuzuar, por ne përsëri do të bëjmë kërkesë derisa të bindet Vangjel Dulja që të ndikojë pozitivisht karshi minoritetit grek dhe karshi popullsisë çame si kryetar i të drejtave të njeriut. Dules i takon të merret me zgjidhjen e çështjes çame.
Në fakt është folur shumë për të drejtat e njeriut. Kemi vënë re që institucionet shqiptare kanë qëndruar në heshtje për çështjen çame. Personalisht, ju si kryetar i PDI-së a keni bërë ndonjë lëvizje dhe a ia keni parashtruar kërkesat tuaja faktorëve ndërkombëtarë?
Të jemi të sinqertë, BE-ja shtetin grek e ka vendosur si vëzhgues të shtetit shqiptar për të hyrë në BE. Dhe Greqia, përveçse kërkesën që ka ndaj shtetit shqiptar për t‘i zgjidhur çështjen e minoritetit grek, pala shqiptare nuk po bën atë që po bën Greqia që t‘i dalë për zot popullsisë shqiptare për problemet që ka ndaj shtetit grek. PDI po punon shumë për ndërkombatërizimin e kësaj çështjeje. Unë duhet të them se kam qenë i ftuar në SHBA nga shoqata "Vatra" dhe mund t‘ju them që të gjithë bashkatdhetarët tanë në SHBA thoshin një zëri se do të merremi në zgjidhjen e çështjes çame se kjo ka ngelur pa konkluduar nga trungu shqiptar. Ata thanë se pavarësinë e Kosovës e morën, tani të zgjidhin çështjen çame. Ata po përpiqeshin sesi të ndërhynin në Senatin amerikan dhe më kërkuan që të çojë një dosje të plotë me problematikën që ka çështja çame. Gjithashtu, unë kam pasur edhe një takim me komisionerin e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Tomas Hammerberg, ku i pasqyrova problematikën që ka popullsia çame, mbi shkeljen e të drejtave që ka kjo popullsi, mbi mohimin e pronës që ushtron Greqia karshi kësaj popullsie. I kam dhënë edhe dokumente në bazë të fakteve për qëndrimin e grekëve. Pritja me zotin Hammerberg ishte me interes dhe u tregua i gatshëm të ndihmojë mbi zgjidhjen e problemit, ku bashkë me mua ishte edhe anëtari i kryesisë së PDI, Arben Tahiri. Ne nga ana jonë do mundohemi të kemi bashkëpunime të mëtejshme që ai duke ndërhyrë të detyrojë Greqinë t‘i japë zgjidhje këtij problemi kaq madhor, por njëkohësisht edhe shteti shqiptar të merret drejtpërdrejt me zgjidhjen e çështjes çame. Ajo nuk mund të zgjidhet me raste sporadike, por duhet marrë seriozisht duke filluar nga parlamenti shqiptar. Ka ikur koha e bisedave sporadike, duhen në bazë institucionale dhe dokumenteve të bëhen gjërat. Institucionet ndërkombëtare nuk kanë dokumente dhe i kërkojnë ato, dhe PDI bashkë me shoqatën Çamëria do të pasqyrojnë realitetin duke u servirur atyre fakte të gjalla dhe dokumente. Popullsia çame ka qenë minoritet në shtetin grek dhe erdhi si rob lufte në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›