E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Reforma në drejtësi, duam ndihmën e socialistëve

Demokratët premtojnë konsensus me Partinë Socialiste për reformat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2009. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka treguar dje sfidat politike të kampit blu për këtë vit, ku çelësi i tyre janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat do të mbahen në mes të këtij viti. Megjithëse viti 2009 parashikohet për dy forcat më të mëdha në Kuvend si një vit me temperatura të larta politike për efekt të zgjedhjeve, numri dy i PD-së paralajmëron se paqja PD-PS do të vazhdojë edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit, për hatër të reformave dhe integrimit të vendit. Kreu i grupit të demokratëve sqaroi se rikompozimi i KQZ-së sipas formulës së Kodit të ri Zgjedhor do të jetë prioritet i axhendës parlamentare në fillim të sesionit të ri. "Rikompozimi i institucionit zgjedhor besoj se do të jetë një çështje, të cilën Parlamenti do ta konsumojë që në seancat e para të tij", u shpreh Patozi. Në këtë kuadër, sipas tij, është shumë i rëndësishëm rikonformimi i vullnetit të mazhorancës që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të lira, demokratike dhe konform standardeve. Sipas Patozit, fytyra e parë për këtë vit e Parlamentit do të jetë ngritja e Komisionit Qendror Zgjedhor. Kreu i grupit parlamentar, duke iu drejtuar opozitës kërkoi edhe kufizimin e imunitetit, një çështje kjo e lënë pezull nga viti 2008 dhe e sfumuar nga zhvillimet e bujshme politike, të cilat lidheshin me ligjin e prokurorisë dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.

"Pavarësisht kohës së kufizuar që kemi në dispozicion, e cila nuk premton shumë dhe pavarësisht temperaturës në ngritje që mund të shkaktojë afrimi i datës së zgjedhjeve, i fushatës elektorale, Parlamenti gjithsesi ka mundësi që të avancojë më tej me reformat e ndërmarra sidomos në reformën e drejtësisë", theksoi Patozi, duke kërkuar konsensusin e opozitës.

Imuniteti

Pas miratimit të ligjit për lustracionin pritet të rikthehet në Parlament një tjetër çështje delikate si ajo e imunitetit. Numri dy i PD-së sqaroi se mazhoranca do të kërkojë sanksionimin e heqjes së imunitetit të drejtuesve të lartë politikë, duke pasur edhe konsensusin e opozitës. "Unë besoj që Parlamenti ka kohën dhe mundësinë për ta çuar deri në fund këtë nismë, e cila do të fillojë me kufizimin e imunitetit të deputetëve. Por do të vazhdojë me imunitarët e tjerë, të cilët në mënyrë krejt të panevojshme kanë një koracë e cila i distancon ata nga qytetarët e tjerë", tha Patozi.

Zgjedhjet

"Kryesfida e mazhorancës, por do të thosha e gjithë politikës, mbetet mbajtja dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne kemi bindje absolute që kjo do të ndodhë për shkak se kemi përshkuar shumicën e rrugës me shumë sukses dhe besoj se ka një vullnet të palëkundur të të gjitha strukturave të mazhorancës për t‘i garantuar këto zgjedhje të lira e të ndershme, në qershor të këtij viti", deklaroi Patozi.

Kreu i deputetëve demokratë, nisur nga fakti se sesioni i ri parlamentar është dhe i fundit për këtë legjislaturë, shprehu bindjen e tij se "demokratët do të rikonfirmohen fitues në këtë garë parlamentare. PD është në një fazë zgjedhjesh, gjë që do të sjellë dhe forcim të strukturave të saj, për të siguruar edhe një mandat tjetër qeverisës", u shpreh Patozi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›