Topi, vizitë dyditore në Kosovë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në datat 8 dhe 9 janar do të vizitojë shtetin më të ri të botës, Kosovën. Kjo është vizita e parë që kreu i shtetit realizon në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë. Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar do të takohet me personalitetet më të larta të shtetit të Kosovës, si Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, si dhe funksionarët e tjerë të lartë të shtetit. Pak ditë më parë, gjatë një interviste në "Top Channel", kreu i shtetit theksoi se kjo vizitë është një gjë shumë e madhe, sepse është e para në Kosovën e pavarur. Por, është shprehur Topi, emocionet janë shumë të freskëta, pasi ai e ka realizuar një vizitë përpara shpalljes së pavarësisë, më datën 25 janar, ku ndihej dëshira e jashtëzakonshme e gjithë popullit të Kosovës për të qenë i pranishëm dhe për ta realizuar sa më shpejt aktin e shpalljes së pavarësisë.