Meta: Kriza e bujqësisë, kemi një plan konkret
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vijoi takimet me bizneset e vogla, ku është njohur më nga afër me shqetësimet e tyre. Meta është shprehur se kudo ndihet një shqetësim për rënien e fuqisë blerëse, edhe në drejtim të prodhimeve, produkteve ushqimore. Për këtë, u shpreh kreu i LSI-së, ne kemi një plan shumë konkret për ta nxjerrë bujqësinë nga kriza dhe për të krijuar atë industri agropërpunuese, e cila do të bëjë të mundur si punësimin e mijëra shqiptarëve në bujqësi dhe në agropërpunim, ashtu edhe zëvendësimin në një masë të madhe të importeve të sotme bujqësore dhe ushqimore me prodhimin vendas, "që do të thotë më shumë mirëqenie për fermerët shqiptarë, për qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht një ekonomi më e fortë kombëtare", insistoi ai. Meta theksoi më tej se vihet re një krizë në rritje për sa u takon problemeve të përballimit të kostove të jetesës nga familjet shqiptare, dhe sidomos nga ato më të varfrat dhe me të ardhura më të pakta. Ai shprehu bindjen se këto familje kanë një peshë shumë të madhe të kostos së jetesës, dhe pikërisht përballimin e ushqimit të ditës. Duke pasur parasysh të gjitha këto, tha Meta, jemi të vendosur për të përgjysmuar nga 20% në 10% TVSH-në për ushqimet bazë të shportës, që do të thotë çmime më të lira dhe më të pranueshme në treg; që do të thotë një kontribut dhe një ndihmë për këto familje për të përballuar më me lehtësi këtë çështje të rëndësishme të ditës, e cila është jetike për familjet shqiptare.