E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta- Pacollit: Koordinim për njohjet e reja të Kosovës

“Rikonfirmoj rëndësinë e madhe që ka forcimi i bashkëpunimit të të gjithë institucioneve të Kosovës dhe të politikës në Kosovë me BE dhe SHBA, me qëllim që krahas kësaj përpjekjeje të jashtëzakonshme që po bëhet për forcimin e institucioneve të reja demokratike të këtij shteti të ri, njëkohësisht dhe paralelisht po punohet edhe për përqasjen sa më të shpejtë drejt standardeve evropiane të të gjithë këtyre institucioneve të reja. Kosova është një rast unik ku është krijuar një shtet i ri i cili, njëkohësisht po përgatitet edhe për t’u integruar në BE”, tha Meta pas takimit.

Duke shprehur optimizmin e tij për procesin e pandalshëm të zhvillimeve në Kosovë dhe njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të saj, z. Meta konfirmoi angazhimin për të koordinuar hapat me institucionet e Kosovës dhe faktorë të tjerë relevantë për vazhdimin e lobingut. Po ashtu, shprehu bindjen se  pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin tonë, dhe se Kosova ecën e sigurtë përpara drejt konsolidimit të shtetit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit ne strukturat europiane e euroatlantike. 

 “Ne besojmë se procesi i konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës do të vijojë, ashtu sikurse do të vijojnë edhe njohjet e ndërkombëtarëve. Tashmë, Kosova është një realitet europian, është një realitet i njohur nga shumica e vendeve anëtare të BE, NATO-s dhe jemi të bindur që lidershipi i Kosovës, të gjithë autoritetet e Kosovës, gjithë klasa politike atje, krahas forcimit të këtij shteti të ri, do të punojnë me shumë angazhim edhe për integrimin europian dhe eduroatlantik.

 Z. Pacolli, nga ana e tij, falenderoi edhe një herë Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Meta, për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për Kosovën, në konsolidimin e shtetit të pavarur e sovran, si dhe të njohjes së saj ndërkombëtare.

 “Unë e konsideroj punën e Z. Meta si madhështore, kryesisht me vizitën e tij në Kombet e Bashkuara me diplomacinë ndërkombëtare që shkon drejtpërsëdrejti në interes të njohjeve të reja për Kosovën.  E di se 80 përqind e punës së Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka qenë e koncentruar ekskluzivisht për Kosovën për njohjet e reja për Kosovën. Ne duhet të punojmë më shumë me ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe me institucionet shqiptare, të gjejmë mënyrën më të lehtë për të pasur njohje edhe më të mëdha, pasi duhet ta shohim Kosovën shumë shpejt të radhitur me kombet e gjithë botës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi z. Pacolli.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›