Meta: Politikat tona, në mbështetje të biznesit
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka vijuar turin e tij paraelektoral në Divjakë të Lushnjës. Ai ka vizituar një serë të ndërtuar nëpërmjet një teknologjie moderne për kultivimin e domates. Meta ka bashkëbiseduar gjatë me fermerin pronar të serës, Rako Kola, i cili i ka rrëfyer kreut të LSI-së vështirësitë dhe problemet që ndesh për mirëmbajtjen e kësaj sere, e cila kultivon domatet nëpërmjet sistemit të ngrohjes. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u ka shpërndarë punonjësve të serës programin elektoral të LSI-së dhe ka deklaruar se kapitulli për bujqësinë do të ketë mbështetje më të veçantë, duke pasur parasysh edhe veçoritë dhe problemet e tyre më specifike, ku një nga më kryesoret është subvencionimi i kostos së ngrohjes që zë një peshë të konsiderueshme, por edhe probleme të tjera, pasi ne kemi nevojë të rrisim prodhimin në vend. Pas vizitës në serë, Meta ka takuar të rinj dhe të rejat e Divjakës. Gjatë fjalës së tij ai ka theksuar se "LSI-ja është padyshim forca politike që mendon dhe punon më shumë për të krijuar mundësi të pafundme për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë". Ndaj, tha kreu i LSI-së, është koha për veprim, sepse rinia kërkon mundësi më të mira për t‘u shkolluar, është koha për veprim, sepse sistemi ynë arsimor duhet reformuar dhe orientuar drejt tregut të punës.