Moisiu: Politika, përgjegjësja e vetme e tragjedisë së Gërdecit
Mosnxjerra e përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit, përpara ligjit nga drejtësia, edhe pse ka një vit tashmë që ka ndodhur, është cilësuar një fakt i vonuar nga ish- Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Duke reaguar për këtë tragjedi, Moisiu ka theksuar se drejtësia duhet të sfidojë e tu mbijetojë të gjitha ndërhyrjeve politike.
Politika është përgjegjësja e vetme për shpërthimin tragjik, që mori 26 jetë njerëzish dhe plagosi qindra banorë, dhe jo ushtarakët, ka theksuar ish-presidenti i vendit, Moisiu. Por në këtë pikë, ai nuk nguron të shprehë frikë për një drejtësi, që edhe mund të mungojë. Dhe këtu vjen apeli i prerë ndaj anëtarëve të Gjykatës së Larte. Përveç ngritjes së drejtësisë në nivelin e përgjegjësisë, që i takon në një shtet të lirë dhe demokratik, ish-Presidenti bën thirrje dhe për zgjedhje të lira e të ndershme. Vonesa e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, është një sinjal që të bën të mos shpresosh për të më të mirën, thekson Moisiu, i cili nga ana tjetër apelon ndaj qytetarëve që të nxitojnë të marrin dokumentet e tyre të identitetit dhe të votojnë me përgjegjësi për qeverisjen, që duan të kenë pas 28 qershorit.