Shamku: Ministri Beja tu kërkojë falje publike 3 mijë mësuesve
Kryetarja e Komisionit të Medias dhe Edukimit në PS, Ledi Shamku i ka bërë thirrje ministrit të Arsimit, Fatos Beja tju kërkojë falje publike 3.000 mësuesve për trajtimin poshtërues që u bëri. Kjo deklaratë ka marrë shkas nga nxjerrja e një ligji të fundit nga ministri Beja për heqjen nga puna e 3.000 mësuesve dhe zëvendësimi i tyre me mësues që kanë mbaruar masterin. Sipas Bejës 3.000 mësuesit do të punonin me orë, por ky ligj nuk u hodh poshtë nga kryeministri Berisha.
Skamku më pas iu referua deklaratës së fundit të ministrit Beja se do të unifikojë programet arsimore me ato të vendeve të Europës. Paskëshit pritur katër vjet, zoti Ministër për ta thënë këtë frazë!. Paskëshit pritur të mbanit vesh shpalimin e programit të Partisë Socialiste për arsimin, program i cili pas afro tre vitesh përpunimi u çel pikërisht me këtë objektiv jetik për shkollat tona. Prandaj sot nuk ju beson askush z. Ministër, u shpreh Shamku. Ajo shtoi se për ministrin do ishte më mirë që ai të vijonte të heshtte. Pasi në të vërtetë, u shpreh Shamku i djeshmi nuk qe zëri juaj, por refleksi i dobët i zërit racional të Partisë Socialiste që këtë pikë nistore të programit të saj e shkroi dhe e miratoi në dialog të vijuar me shqiptarët. Duke iu drejtuar ministrit, Shamku tha se ai nuk është në gjendje të unifikojë programet, pasi do ti duhet që më parë të rrëzojë pirgun e shëmtuar të eksperimenteve që bëri me fëmijët tanë në gjithë këtë mandat rrënues për arsimin dhe shkollat. Qeveria juaj pati plot katër vjet kohë për të ndërtuar standardet europiane, por e humbi kohën në vogëlsira pa mundur të dalë nga rrethi i paaftësisë, u shpreh Shamku. Ajo vijoi, duke u shprehur se këto pak ditë që ju kanë mbetur deri më 28 qershor nuk ju vlejnë për të deklaruar premtime të tipit kush nusëron për së dyti, di të nusërojë më mirë. E nëse duhet të dilni sërish deri më atë datë, dilni vetëm për tu kërkuar ndjesë shqiptarëve!.