Meta: Berisha dhe Rama të takohen brenda 48 orëve për të gjetur një kandidat konsensual
Kryetari i LSI, Ilir Meta, duke folur për gazetarët, tha se duhet një takim mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ai deklaroi se përpjekjet për konsensus janë të limituara për shkak të kohës.
Dua të nënvizoj seriozitetin dhe vendosmërinë që mazhoranca ka pasur, që në nisjen e këtij procesi, për të ecur drejt konsensusit me opozitën. Edhe kandidatura e propozuar nga mazhoranca, ajo e z. Zaganjori, kishte vetëm këtë qëllim, por edhe tërheqja e tij, e djeshme, pas konsumimit të raundit të tretë, ishte një tregues i seriozitetit të tij, si kandidat, për të qenë një president i të gjithëve dhe për të pasur konsensusin e opozitës, të cilin nuk e kërkuam vetëm ne, me emrin e tij, por edhe ai vetë e kërkoi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, tek kryetari i Partisë Socialiste. Natyrisht që përpjekjet për konsensus, të cilat kanë qenë për gati 2 javë, tashmë janë të limituara për shkak të kohës, por përpjekjet tona do të jenë shumë serioze, gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditës së nesërme, tha Meta.
Unë dua të theksoj, si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nevojën dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve për të arritur konsensusin, për të rritur përgjegjshmërinë dhe përqendrimin e të gjithë aktorëve, për ti dhënë fund kapriçiove dhe për të fituar një moment të dytë, pas një momenti shumë të rëndësishëm që kemi lenë pas ku kemi djegur tre raunde dhe tre mundësi për konsensus. Ndaj, theksoj rëndësinë edhe të një takimi tjetër të nivelit më të lartë, të z. Berisha dhe të z. Rama, një format që ata do ta gjykojnë të arsyeshëm dhe të pranueshëm, deri ditën e nesërme, në mënyrë që gjatë këtyre 48 orëve të arrijmë një konsensus, cili natyrisht që nuk do të jetë i lehtë por që nuk është i pamundur. Në këtë drejtim, ne, ditën e hënë, ta përfundojmë çështjen e Presidentit të ri, e cila, natyrisht, që ka sjellë zhvillime nga më të ndryshmet, por që pa asnjë diskutim pa qenë dhe do të jetë rezultat i një procesi tepër publik, transparent, të debatueshëm, të negociueshëm dhe shpresojmë që edhe produkti përfundimtar do të jetë një konsensus shumë i gjerë, vijoi kreu i LSI.
I pyetur se a ka emra konkretë në bisedime, Meta tha: Mazhoranca, pasi diskutoi për shumë emra, u përqendrua tek një emër, me bindje të plotë që kishte të gjitha cilësitë dhe tiparet për të fituar konsensusin e opozitës. Pra, të ish mazhorancës së dikurshme që e kishte votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Tani, natyrisht që të gjithë jemi në një moment reflektimi. Pa dyshim që emra ka, por këtu nuk kam parasysh emra konkretë, dhe padyshim që vendi do të ketë një president apo do të ketë një zgjidhje për këtë çështje shumë shpejt.
Ndërsa duke komentuar kandidimin e Nanos, Meta tha: LSI nuk ka përjashtuar asnjë emër sepse nuk paragjykon askënd. Lëvizja Socialiste për Integrim është investuar që në fillim të këtij procesi dhe do të investohet deri në fund për një proces kushtetues dhe për një president sa më konsensual.