Meta: Berisha duhet të largohet sa më parë
Ilir Meta përsëriti dje kërkesën publike për largimin e Kryeministrit Sali Berisha. Ai ishte i pranishëm në një takim në Qarkun e Dibrës, shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho. Sipas kreut të LSI-së, Shqipëria e Sali Berishës është për fat të keq Shqipëria që nuk rrezaton vullnetin dhe aspiratat e shumicës së popullit shqiptar dhe në radhë të parë të rinisë. "Kjo është një kastë që për fat të keq më 21 prill u fuqizua nga pikëpamja institucionale edhe me ndihmën e Edi Ramës dhe deputetëve të PS-së", theksoi Meta. Teksa këmbënguli se me këtë vendim u dhunua parimi i shenjtë dhe themelor i Kushtetutës të miratuar nga 1 milion shqiptarë në 1998-ën, ai i ndarjes së balancave institucionale midis pushteteve të ndryshëm. Duke vazhduar më tej, Meta tha se kjo është Shqipëria e Sali Berishës që nuk do t‘ia dijë për vullnetin e popullit shqiptar dhe të qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë shprehur për Republikë Parlamentare, ku të jenë ata që kontrollojnë Parlamentin dhe qeverinë e tyre dhe jo të mbeten peng të një Kryeministri të papërgjegjshëm. Duke vazhduar më tej në çështjet e politikës së ditës, Meta u ndal gjerë e gjatë te pasojat e para që sollën këto ndryshime Kushtetuese. "Janë këto ndryshime që e bëjnë Sali Berishën jo vetëm të mbrohet nga drejtësia, por edhe të marrë revansh kundër drejtësisë, kundër pavarësisë së gjykatave, kundër pavarësisë së prokurorisë dhe kundër qëndrimeve të përfaqësuesve të opozitës", konstatoi ai. Në këndvështrimin e Metës, këto ndryshime bëjnë që Sali Berisha t‘u krekoset deputetëve dhe madje t‘i lutet opozitës për t‘i bërë mocion mosbesimi. "Sepse, me ndryshimet e bëra në Kushtetutë, tashmë nuk duhen 71 vota për të hequr Sali Berishën, por duhen edhe 71 vota më parë për të vendosur një tjetër në vend të tij", vijoi ai. "Janë këto ndryshime që Sali Berisha mbrohet nga Gërdeci. Pra është ky Berishë që kërkon të na kthejë 11 vjet pas", shtoi Meta. Teksa insistoi se është kjo kastë që nuk do ta dijë fare që shumë fëmijë të Dibrës nuk kanë mundësi që të arsimohen, është kjo kastë që nuk do ta dijë edhe për prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë as tekstet shkollore të fëmijëve dhe jo më bursat, apo t‘i mbështesin financiarisht për studimet e larta.