Sponsorët ilegalë që financojnë partitë
"Transparency International" në Shqipëri konstatoi dje me keqardhje, se ende ka një sërë problemesh madhore në financat e partive politike dhe kjo situatë ka mbetur tërësisht e pandryshuar prej vitesh. Partitë politike në vend konstatohet se vazhdojnë të cenojnë një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, bërjen publike të çdo lloj burimi financiar. "Ato vazhdojnë të fshehin në mënyrë të vazhdueshme deklarimin e burimeve të tyre private", thuhet në raport. Teksa insistohet në faktin se në Shqipëri vazhdon të mungojë një kuadër i veçantë ligjor për këtë çështje. TI mendon se çdo iniciativë për të përfshirë disa elemente në Kodin Zgjedhor, jo vetëm që është e vonuar, por edhe nuk garanton zbatimin e plotë të detyrimeve kushtetuese. Mungesa e vullnetit politik imponon mungesën e mekanizmave, kapaciteteve, instrumenteve dhe institucioneve, të cilat duhet të garantonin transparencën e procesit të financimeve të partive politike. Ndërsa financimet nga subjektet private, donacionet, dhuratat, apo ndihmat që japin shoqëritë tregtare, në favor të partive politike, mbeten ende një privilegj jashtë çdo kontrolli fiskal dhe ligjor. Raporti vë në dukje se vetë partitë politike nuk kanë bërë ende asnjë përpjekje për të ngritur kapacitete dhe për të shmangur vakumin në struktura, me qëllim auditimin e brendshëm të financave dhe kjo gjë vihet re pothuajse në të gjitha partitë politike në vend. "Transparency" vazhdon të konsiderojë mungesën e bërjes publike të raportimit të aktivitetit ekonomik të partive politike, si një veprimtari informale dhe një nga komponentët e një procesi të dështuar politik për të formalizuar ekonominë në vend. "Shoqëritë tregtare, të cilat janë financueset më të mëdha, nuk janë të interesuara t‘i formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre, pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Ata kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale", vijon raporti. Për këto arsye "Transparency International" në Shqipëri konstaton se informaliteti, mungesa e transparencës dhe kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financime, kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike, ka krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik. Nënvizohet fakti se Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është duke adresuar vetëm disa nga çështje në Kodin Zgjedhor. TI vlerëson çdo përpjekje për ta përmirësuar këtë situatë nga Kuvendi i Shqipërisë, por i quan të pamjaftueshme vetëm disa dispozita, të cilat mund të përfshihen në legjislacionin elektoral, pasi transparenca e financimeve të partive nuk është vetëm një çështje e izoluar në periudha zgjedhjesh. "Duke qenë se shumë pak kohë na ndan nga përfundimi për herë të dytë i afatit të veprimtarisë së këtij komisioni, "Transparency" i kërkon Kuvendit mundësinë e një diskutimi transparent dhe realizimin e një seance dëgjimore me pjesëmarrje të gjerë, si dhe me pjesëmarrje të ekspertëve të saj, veçanërisht për një çështje kaq kritike siç është financimi i partive politike.