E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Tatëpjeta provokohet nga injoranca e qeverisjes së Berishës

"Shqipëria po shkon drejt një tatëpjete që e ka vendin në prehrin e injorancës dhe kjo falë politikave të gabuara arsimore të ndjekura ndër vite e sidomos tre vitet e fundit". Në këtë mënyrë, kreu i opozitës, Edi Rama, ka dhënë alarmin për ekzistencën e një Gërdeci të heshtur, siç u shpreh ai, që paralajmëron shkatërrimin dhe kolapsin e sistemit arsimor në vend, sidomos atij universitar. Për liderin e PS-së, Edi Rama, tre krimet në sistemin arsimor shqiptar të dirigjuara nga qeveria aktuale, në sistemin e pranimit nëpër universitete është hyrja në to pa kriter e të gjithë elementëve me mesatare 5.5, rrafshimi i këtij sistemi dhe krimi i fundit, shtimi i radhëve të papunëve me arsim të lartë. Këto deklarata të Ramës erdhën fill pas ankesave që i janë drejtuar atij nga ana e disa pedagogëve të Universitetit të Gjirokastrës, për rrezikun që i kanoset nga numri i paktë i të frekuentuarve për këtë vit të ri akademik. Ekzistenca e universiteteve private dhe publike në jug të vendit, sipas pedagogëve të Universitetit të Gjirokastrës "Eqrem Çabej", ka eklipsuar së tepërmi frekuencën e këtij institucioni të arsimit të lartë, çka mund të çojë në mbylljen graduale të tij. E ndërsa pedagogët fajin e kanë gjetur tek universitetet private në jug të vendit, Rama ka reaguar në oponencë me idenë e tyre për mbylljen e universiteteve private. Arsimi privat në vendin tonë, sipas Ramës, është një mekanizëm për të shtuar konkurrencën, por kriteri i vetëm duhet të jetë, sipas tij, kreditimi dhe këtu lind rrjedhshëm nevoja e krijimit të një sistemi të ri arsimor. "Ne duhet të mos u lëmë fëmijëve tanë një faturë për t‘u paguar, e cila është një barrë e rëndë, por duhet të marrim përsipër si një forcë e ardhshme qeverisëse, vendosjen e arsimit në qendër të gravitetit të politikës sonë të re", është shprehur Rama. Ky i fundit ka premtuar për Universitetin "Eqrem Çabej" në Gjirokastër se do të shndërrohet në qendër të gravitetit, sepse ky thesar që është zemra e Gjirokastrës, nuk mund të lihet pa u transformuar në një aset për të ardhmen tonë. Këto deklarata Rama i ka bërë gjatë një tubimi me arsimtarët e Qarkut të Gjirokastrës në kuadrin e turit "Dialog me Shqipërinë". Zoti Rama, gjatë vizitës në Gjirokastër, shoqërohej nga deputetët Bashkim Fino e Vangjel Tavo, si dhe nga kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë e PS-së, Ledi Shamku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›