E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Berisha, presion bizneseve

Qeveria po shton presionin ndaj biznesmenëve në prag të fushatës elektorale. Ky ishte konstatimi i djeshëm i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai insistoi se në katër vite të qeverisjes së djathtë, biznesi nuk është trajtuar kurrë si partner i rëndësishëm. Referuar vendimit të fundit të qeverisë për rritjen e kompetencave për tatim-taksat dhe investigimin e biznesmenëve, Meta konstatoi se ky është një tjetër shembull i

i presionit në rritje të kësaj qeverie ndaj biznesit dhe ndaj biznesmenëve, sidomos tani në prag të fushatës elektorale. "Asnjëherë në këto 4 vite, qeveria Berisha nuk e ka trajtuar biznesin si një partner të domosdoshëm për zhvillimin e vendit. Përkundrazi, e ka trajtuar si një kundërshtar, duke e trajtuar në mënyrë selektive dhe duke aprovuar një sërë ligjesh dhe aktesh procedurale, të cilat e kanë dëmtuar besimin e biznesit te ligji dhe te qeveria", tha Meta. Sipas tij, një shembull i presionit mbi biznesin është miratimi i ligjit për gjobat, i cili më pas u shfuqizua nga gjykatat edhe pas reagimit të Komisionit Evropian. Kreu i LSI-së nënvizoi se koha e marrjes së vendimit për të investiguar bizneset është e papërshtatshme në një kohë kur vendi po përjeton pasojat e krizës ekonomike botërore dhe asaj të keqmenaxhimit nga ana e qeverisë shqiptare.

"Koha kur miratohet një vendim i tillë për investigimin dhe për përgjimin e biznesit është pikërisht një moment, kur vendi njëkohësisht po përjeton pasojat e krizës ekonomike globale, por dhe pasojat e krizës ekonomike shqiptare për shkak të keqmenaxhimit nga ana e qeverisë ‘Berisha‘ të resurseve dhe të mundësive që ka vendi për zhvillim", deklaroi kreu i LSI-së.

Lëvizja Socialiste për Integrim, shtoi Meta, e konsideron këtë vendim të fundit të qeverisë "Berisha" për të investiguar biznesin, me pasoja të rënda, për sa i takon ecurisë së biznesit në vendin tonë, e cila është problematike edhe për shkak të krizës globale, por dhe në mënyrë të veçantë për shkak të krizës shqiptare, "që vjen nga kjo mënyrë sjelljeje arbitrare, selektive dhe policeske e qeverisë ‘Berisha‘ ndaj biznesit", u shpreh Meta.

Vendimi i qeverisë shqiptare, i marrë para disa ditësh, ka në bazë të tij të drejtën e kontrollit të strukturave përkatëse në rast se dyshohet që një biznes kryen evazion fiskal. Një tjetër pjesë e këtij vendimi është ai që quhet "spiunimi", ku çdo qytetar mund të bëjë denoncime për biznese e biznesmenë të ndryshëm. Në vijim Meta u shpreh se me ardhjen e opozitës në pushtet, do të ndërtohen raporte të fuqishme dhe transparente partneriteti me biznesin dhe sipërmarrësit shqiptarë, pasi i sheh ata si katalizatorë të zhvillimit të vendit, të ekonomisë tonë kombëtare dhe punësimit të shqiptarëve. Me afrimin e fushatës elektorale, LSI ka bërë premtime të ndryshme për përmirësimin e kushteve të bizneseve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›