E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, vijojnë negociatat për kartat

Çështja e kartave të identitetit hyn në rrugën e dialogut pozitë-opozitë. Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste kanë nisur bisedimet për të arritur në një vendim përfundimtar që do të zhbllokojë situatën e krijuar mes tyre për shkak të kartave të identitetit. Dialogu ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme dhe palët kanë biseduar për mundësinë që karta e identitetit të jepet për një çmim prej 200 lekësh të reja. Në këtë pikë mësohet të jetë arritur një mirëkuptim teksa PS ka lëshuar terren nga qëndrimi kategorik për karta falas. Burime nga selia rozë bënë të ditur se socialistët vijojnë t‘i qëndrojnë idesë që shpërndarja e kartave të bëhet përmes parimit "one stop shop", pra shërbimi të kryhet në një sportel, ndërsa mbeten për t‘u diskutuar se në çfarë formash do të paguhet pjesa tjetër e çmimit të kartës. Gjithsesi, nëse palët arrijnë të bien dakord, vendimi i afrohet mjaft kërkesës së vazhdueshme të PS-së që kartat e identitetit të jepen falas. Bëhet fjalë për 729 mijë shtetas, që sipas kësaj partie përbëjnë pjesën më të varfër të shoqërisë. Negociatat mes palëve nisën pas ndërhyrjes së ambasadorëve të huaj në vendin tonë, të cilët i paraqitën në një takim Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, idenë e uljes së çmimit të kartës për shtetasit pa pasaportë.

Ndërkohë, ideja e konsensusit mes dy partive u mbështet plotësisht dje nga kreu i LSI-së, Meta, përderisa ajo i shërben zgjidhjes së çështjes. Pas kthimit të Kryeministrit Berisha nga vizita në Francë, mund të konkretizohet edhe pakti midis palëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›